Një i dënuar për kultivim të bimëve narkotike ka ndërruar jetë të shtunën, si pasojë e një arresti kardiak. Sipas informacionit të dhënë nga Drejtoria e Burgjeve, Artan Zyliftari, 31-vjeç, është ndjerë keq gjatë mesditës.
Atij i është dhënë ndihma e parë në ambientet e infermierisë dhe më pas është shoqëruar drejt QSUT-së për ndihmë më të specializuar, por nuk ka mundur të mbijetojë.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, njofton se në Reanimacionin Qendror të QSUT ka ndërruar jetë me arres kardiak, shtetasi Artan Luan Zyliftari. Ndaj Zyliftarit ishte marrë masa e sigurisë arrest me burg i dyshuar për veprat penale kultivim i bimëve narkotike në bashkëpunim. Punonjësi i sigurisë në detyrë, njoftohet nga të paraburgosurit e dhomës për shqetësimet shëndetësore të shtetasit Zyliftari. Në mënyrë të menjëhershme është paraqitur stafi shëndetësor në detyrë dhe kanë bërë përpjekje për ti dhënë ndihmën e parë në ambjentet e infermierisë.
Në orën orën 15.28 pacienti është shoqëruar për në QSUT, Pavioni Kardiologji. Megjithë ndërhyrjen e stafit të specializuar në QSUT, në orën 16.20, pacienti ka bërë exitus letalus (vdekje) nga arrest kardiak.”, thuhet në njoftim.
Sipas drejtorisë së Burgjeve, pacienti gjatë qëndrimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Jordan Misja, është kontrolluar rregullisht dhe gjithë vizitat mjekësore dhe terapitë janë administruar në kartelen shëndetësore.
“Pacienti është trajtuar për hipertension sipas protokolleve të miratuara dhe gjendja shëndetësore e tij ka qenë e qëndrueshme. Drejtoria e IEVP Jordan Misja, ka kryer të gjitha procedurat ligjore të parashikuara, duke njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit, të Prokurorisë dhe familjarët. Me këtë rast Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet familjareve të të ndierit.”, përfundon njoftimi.
Zyliftari u arresua gjatë operacionit “Shpirti” , icili u zhvillua 2 vite më parë, në korrik 2021, ku u goditën disa grupe kriminale. Hetimi i autoriteteve italiane për 5 vite me radhë çoi në pranga 38 persona dhe u sekuestruan 4 milionë euro pasuri.