Sali Berisha e quajti një “një hakmarrje të verbër politike të Edi Ramës” arrestimin e Fredi Belerit në Himarë, nën akuzën e korrupsionit zgjedhor.
Sipas tij këto veprime janë bërë “me manipulimet, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave që drejton sot policinë e Vlorës dhe quhet Ermal Muça. Dënoj dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shit-blerje vote, kudo që kjo të ketë ndodhur”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
“Por duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj trojeve dhe tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë. Sikundër përdorimi i dhunës është një akt “in extremis” për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty. Kam qenë në Dropull klimë terrori, ku policia u bënte presion zgjedhësve që të mos votonin kandidatin tonë të shkëlqyer, por të votonin kandidatin e Edi Ramës”.
“Po të jetë puna për blerje votash ato janë tentuar duke u dhënë bonus mbi 600 mijë pensionistëve, në kundërshtim të kodit zgjedhor, me përdorimin masiv të punësimeve. Vetëm pensionistë janë shtuar 13 mijë në këtë periudhë, pa kontribute. Vetëm për personat me aftësi ndryshe janë shpërndarë në Dibër 400 milionë nga thesari. Kjo ka qenë masive dhe nëse ka njeri që ka kryer një megakrim elektoral është Edi Rama, Belinda Balluku, Taulant Balla, Olta Xhaçka, Damian Gjiknuri, Elisa Spiropali, Tom Doshi”, shtoi Berisha.