Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, i ka dalë në mbrojtje Granit Xhakës, pas një episodi tjetër jo të lavdishëm të mesfushorit kosovar. Të dielën, Xhaka u ndëshkua me karton të kuq pasi e kapi për fyti një lojtar kundërshtar.
Kritikat ndaj kapitenit të Zvicrës ishin të mëdha në Angli. Atë e kanë kritikuar nga shumë anë, por Arteta të martën i ka dalë në mbrojtje. Edhe te përfaqësuesja e Zvicrës i kanë ofruar përkrahje Xhakës, ndonëse janë të brengosur për gjendjen e tij tek Arsenali.
Ka pasur raportime për një largim të shpejtë të mesfushorit 28-vjeçar nga Arsenali. Ai edicionin e kaluar kishte një konflikt me tifozët e Arsenalit, por e kaloi atë moment të vështirë. Kartoni i kuq për kapje për fyti të kundërshtarit i ka hapur telashe të tjera Xhakës.
Arteta ka thënë se çështja e kartonit të Xhakës është zgjidhur brenda skuadrës.
“Ai ka pasur disa momente të vështira dhe nuk është i vetmi. Ka shumë lojtarë që kanë pasur momente të vështira. Atë që mund të them për Granitin është që profesionalizmi dhe përkushtimi i tij për skuadrën dhe bashkëlojtarët është maksimal. Ai e di dhe ne e dimë se ai ka pasur një moment ku ka humbur kontrollin dhe unë e di arsyen pse. Por ajo që nuk mund të bëj është të harroj krejt atë që ka bërë ai, vetëm pse ka bërë një gabim. Ne të gjithë kemi bërë gabime dhe unë jam këtu edhe për të mbrojtur lojtarët kur e shoh se ata e meritojnë këtë. Qartë se Graniti është njëri prej atyre që duhet mbrojtur, për mënyrën se si i qaset secilës stërvitje, për mënyrën se si dëshiron t’i bëjë gjërat dhe për profesionistin që është”, ka theksuar Arteta.
Arsenali nuk po kalon moment të mirë dhe telashet rriten në situata të tilla.
Xhaka këtë edicion ka dhjetë ndeshje në Premier League dhe tri të tjera në Ligën e Evropës. Në dy ndeshje të Ligës së Evropës ishte kapiten, por në kampionat jo gjithnjë është shfaqur në nivel të lartë. Kritikat për formën nuk kanë munguar.
Xhaka është në edicionin e pestë tek Arsenali. Më herët ka luajtur për Moenchengladbachun në Bundesligë dhe Baselin në Zvicër.
Tashmë është kapiten i Zvicrës, ndërsa në Federatën e Futbollit të Zvicrës janë të brengosur për telashet e Xhakës. Por edhe helvetikët i kanë dalë në krah kosovarit.
Drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka thënë se po e përcjell nga afër situatën e Xhakës.
“Ne jemi të brengosur për kapitenin tonë. Kritikat ndaj Xhakës po rriten, dhe unë nuk e kuptoj pse. Ai me gjasë është nën presion për shkak të kritikave dhe nuk jam i befasuar me atë që ndodhi të dielën. Xhaka ka pasur momente si ky në të kaluarën dhe më pas ka luajtur shumë mirë. Ai është shembull për ne. Unë jam befasuar se sa pozitiv është Xhaka karshi bashkëlojtarëve dhe për nivelin në fushë. Konsistenca e Xhakës është e rëndësishme për ne”, ka thënë Tami.