Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se Granit Xhaka është në gjendje të mirë shëndetësore pas infektimit me koronavirus gjatë kohës kur përfaqësueset luajtën ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”.
Kapiteni i Zvicrës doli pozitiv në testin për koronavirus më herët gjatë këtij muaji, ndërsa Federata e Futbollit të Zvicrës bëri të ditur se ai ishte i vetmi që ka refuzuar të vaksinohet nga ekspedita zvicerane.
Xhaka do të ishte mungesë për Arsenalin të shtunën kundër Norwich Cityt të Milot Rashicës për shkak të suspendimit, por Arteta së fundmi ka folur për shëndetin e tij.
“Ai është mirë. Është ende në shtetin e vet. Duhet të qëndrojë atje deri të shtunën, besoj. Në momentin që është mirë, ai do të udhëtojë dhe do të na bashkohet”, ka thënë Arteta.
Xhaka u dënua me tri ndeshje moslojë pas ndërhyrjes së ashpër në Joao Cancelon, në takimin derbi kundër Manchester Cityt.