Trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini, e ka paralajmëruar skuadrën e Manchester Unitedit në prag të përballjes në Ligën e Kampionëve. Gasperini ka insistuar se ekipi i tij e ka pasur një “test të fortë” vikendin e shkuar në Serie A, i cili i ka ndihmuar Atalantas për t’u përgatitur sa më mirë për duelin me Unitedin. Atalanta të shtunën e shkuar barazoi 2:2 në shtëpi ndaj Lazios, ndonëse dy herë ishte në disavantazh. Sipas Gasperinit, skuadra e Lazios aplikon lojë të ngjashme sikurse Manchester Unitedi, ekip me të cilin Atalanta do të përballet të martën prej orës 21:00 në kuadër të Grupit F të Ligës së Kampionëve.
Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Old Trafford” para dy javëve, Unitedi arriti ta mposhtte Atalantan përkundër që ishte në disavantazh prej dy golave deri në fillim të pjesës së dytë. Në ndeshjen e kthimit, Gasperini shpreson t’i hakmerret Unitedit për humbjen që ia shkaktoi, me golin që e shënoi Cristiano Ronaldo në fund të takimit.
Pas tri xhirove të luajtura në fazën e grupeve, Unitedi është lider në Grupin F me gjashtë pikë, dy më shumë se Atalanta që është e treta. Katër pikë i ka edhe Villarreali në pozitën e dytë, që përballet me Young Boysin. Kampioni zviceran renditet i fundit me tri pikë të mbledhura.
“Unë po besoj që këtë herë do ta mposhtim Unitedin dhe do të sigurojmë vendin e merituar në grup, pasi synimi është që të avancojmë në fazën e nokautit. Si ekip, mendoj që jemi përgatitur mirë pasi ndaj Lazios e kishim një test që mendoj se e kaluam me sukses. Lazio luan sikurse Unitedi dhe besoj që jemi përgatitur shumë mirë për ta marrë fitoren në shtëpi”, është shprehur Gasperini që ka insistuar në rëndësinë e këtij takimi. “Për ne, kjo ndeshje është e rëndësishme vetëm nëse fitojmë. Na duhen gjashtë pikë prej tri ndeshjeve të ardhshme për t’u kualifikuar dhe këtë e kemi parasysh. Do të jetë një ndeshje krejtësisht tjetër prej asaj që e luajtëm para dy javësh në Angli”.
Gasperini ka zbuluar se qendërmbrojtësi Merih Demiral është rikuperuar nga lëndimi dhe kthehet kundër Unitedit, ndërsa Berat Gjimshiti nuk do të jetë gati. Trajneri italian gjithashtu ka pranuar se kampionatit italian po i mungon shumë portugezi Cristiano Ronaldo. Ronaldo para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Unitedit nga Juventusi duke u larguar nga ekipi italian pas tri sezoneve.
“Demirali nuk ka telashe, por Gjimshiti nuk mund të luajë ende. Ronaldo është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai po bën një punë fantastike te Unitedi, por ka dhënë shumë në Serie A sa ishte pjesë e Juventusit. Personalisht, më vjen shumë keq që Ronaldo u largua nga Italia, sepse gjithmonë dua që ekipi im të përballet me më të mirët. Tani, e kemi sërish rastin të luajmë kundër tij dhe duhet të kujdesemi që mos të shënojë gol”, është shprehur Gasperini.
Te Unitedi insistojnë se janë maksimalisht të motivuar për ndeshjen me Atalantan. “Djajtë e kuq” në këtë përballje futen pas fitores 3:0 në udhëtim kundër Tottenhamit në kuadër të Premier Leagues. Madje, humbja nga Unitedi bëri që Tottenhami ta shkarkojë trajnerin Nuno Espirito Santo. Mesfushori i Unitedit, Bruno Fernandes ka insistuar se fokusi i tij dhe bashkëlojtarëve është ndeshja me Atalantan. Ai ka thënë se fitorja në këtë takim pothuajse ia siguron Unitedit kualifikimin në fazën tjetër.
“Ndaj Tottenhamit ne dhamë sinjalin e fortë. Kjo fitore erdhi si reagim për humbjen e thellë nga Liverpooli. Kështu që fokusi tani është tek Atalanta. Është një ndeshje krejtësisht tjetër, por që duhet patjetër ta fitojmë. Jemi maksimalisht të motivuar dhe të gatshëm për këtë takim”, është shprehur Fernandes. “Mirëpo, duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos lejojmë që të na shënojnë sikurse në ndeshjen e parë. Atalanta ka lojtarë që mund të na shkaktojnë probleme, por ne duhet të jemi të bashkuar për t’i ndalur”.
Fitore të martën mbrëma po kërkon edhe Barcelona ndaj Dynamo Kievit në udhëtim, për të mbajtur shpresat gjallë për kalim të fazës së grupeve. Në ndeshjen e luajtur në “Camp Nou” para dy javësh, Barça fitoi 1:0, por shumë gjëra kanë ndërruar që nga atëherë. Pas fitores ndaj Kievit, Barça pësoi dy humbje rresht në La Liga – nga Reali dhe Rayo Vallecano – që i kushtuan me shkarkim trajnerit Ronald Koeman. Në vend të Koemanit, Barça e emëroi trajner të përkohshëm Sergi Barjuanin, i cili në ndeshjen e tij të parë barazoi me Elchen. Sergi do të jetë në krye të Barçës edhe ndaj Dynamos, por që mund të jetë e fundit për të pasi ekipin pritet ta marrë Xavi Hernandezi.
“Fitorja është mënyra e vetme për të mbajtur shpresat gjallë. Ne do të futemi për fitore, sepse nuk kemi opsion tjetër”, ka thënë Sergi.
Barça është e treta në Grupin E me tri pikë, një më pak se Benfica që është e dyta dhe gjashtë më pak se Bayerni që prinë. E Bayerni me fitore ndaj Benficas do ta konfirmojë kalimin në fazën e nokautit.
*******
E martë
Grupi E
Bayern M. – Benfica (21:00)
Dynamo K. – Barcelona (21:00)
Bayern M. 3 9
2. Benfica 3 4
3. Barcelona 3 3
Dynamo K. 3 1
Grupi F
Atalanta – Man. Utd (21:00)
Villarreal – Y. Boys (21:00)
1. Man. Utd 3 6
2. Villarreal 3 4
3. Atalanta 3 4
4. Y. Boys 3 3
Grupi G
Wolfsburg – Salzburg (18:45)
Sevilla – Lille (21:00)
1. Salzburg 3 7
2. Sevilla 3 3
3. Lille 3 2
4. Wolfsburg 3 2
Grupi H
Malmo – Chelsea (18:45)
Juventus – Zenit (21:00)
1. Juventus 3 9
2. Chelsea 3 6
3. Zenit 3 3
4. Malmo 3 0