Gjëja e parë që vizitorët mësojnë në ekspozitën në Berlin, “The Germanic Tribes: Archaeological Perspectives” është se nuk kishte një fis të bashkuar gjerman; nuk ka pasur një grup të vetëm njerëzish që e quanin veten “gjermanikë”.
Ata më parë ishin një shumësi fisesh që jetonin në komunitete fshatrash, ndonëse të shpërndarë përgjatë një treve të gjerë. Prej shekullit të parë deri në shekullin e katërt të erës sonë, fiset gjermane u vendosën në trevat në perëndim të Rinit dhe në veri të Danubit, shkruan e DW.
Ekspozita në James-Simon-Galerie jep një përmbledhje mbi jetën e tyre. “Çfarë e bën të veçantë është fakti që bëhet fjalë për të parën ekspozitë ku popujt gjermanë në këtë hapësirë të madhe mes Rinit dhe Vistulës paraqiten tamam në plotninë e tyre”, thotë kuratori Heino Neumayer nga Muzeu i Parahistorisë dhe historisë së hershme në Berlin.
Ekspozitat e mëparshme fokusoheshin vetëm në aspekte individuale si Beteja legjendare e Pyllit të Teutoburgut, thotë ai.
Kah viti 100 i erës sonë, një historian romak me emrin Tacit e përshkruante kështu vendin që ai e quante Gjermania: “Dukja e vendit ndryshon ndjeshëm në pjesë të caktuara, por në përgjithësi ai është mjaft i tmerrshëm për shkak të pyjeve të vjetra”, shkruante ai.
Gjetjet arkeologjike, huazimet nga Gjermania, Danimarka, Polonia dhe Rumania, tregojnë se përderisa fiset gjermane jetonin në katunde me rrugë të fortifikuara ose jo, si shumë romakë në qytete, ata në të vërtetë nuk jetonin në pyje të përjetshme. Gërmimet kanë provuar se në hapësira të caktuara, vendbanimet nuk ishin më larg se 12 kilometra mes vete dhe ndonjëherë e shihnin njëra-tjetrën, teksa në mes kishin fusha e livadhe.