Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë finalistë të debatit kombëtar të organizuar nga Rrjeti i të Rinjve Evropianë për Demokraci, tha se rinia është motori kryesor i ndryshimit që sot më shumë se kurrë kërkon shoqëria shqiptare. Sipas Kreut të opozitës, ka një tentativë për të zbehur entuziazmin rinor që synon shfuqizimin e të rinjve.
“Unë dhe të gjithë vendimmarrësit e ardhshëm kemi nevojë për ndihmën tuaj. Kemi nevojë për ndihmën e gjithsecilit prej jush këtu dhe gjithë atyre që përfaqësoni. Ju keni nevojë për ndihmën e qeverisë së ardhshme”, tha Basha.
Kreu i opozitës teksa dëgjoi shqetësimet e të rinjve u tregoi atyre planin e qeverisjes së ardhshme, veçanërisht pjesën për rininë. Basha i ftoi ata që të bëhen pjesë e ndryshimit dhe të qëndrojnë në vendin e tyre.
“Edhe unë kam pasur mundësinë që të vazhdoja jetën time jashtë vendit. Por nuk bëhet asnjë si vendi yt. Dhe çfarë vendi kemi. Tani është realisht në dorën tonë. Në fakt tani është realisht në dorën tuaj. Boll thanë e ardhmja tani është e sotmja. Dhe për këtë unë do të bëj gjithçka që t’ju hap rrugën. Në kuptimin afatshkurtër sigurisht do bëjmë gjithçka për ndryshimin. Dhe ndryshimi duhet patjetër të triumfojë më 25 prill sepse është aspiratë e gjithë shoqërisë. Pavarësisht dhimbjeve politike”, tha Basha.
Studentët finalistë të debatit sollën disa argumente mbi çështjet kryesore që janë sot shqetësimi i rinisë dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Ata i treguan kreut të PD edhe çështjet e debatuara ku një pikat më me interes ishte ajo e punësimit të të rinjve.