Teksa u njoh me problematikat e studentëve të mjeksisë dhe ju ofroi atyre zgjidhje, kryedemokrati Basha, tregoji para tyre dhe 3 prioritetet e tij.
“Prioritetet e mia janë: shëndetësia, ekonomia, arsimi”, u shpreh kreu demokrat.
Basha tha se 25 prilli nuk është thjesht rotacion, ndryshim karrigesh, por ndryshim energjish.
Ndërsa dëgjoi ankesat nga studentët e pranishëm, Basha tha se qeveria dështoi edhe me arsimin, pasi nuk përcaktoi asnjë fond, dhe i njoftoi studentët vetëm 4 ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor se mësimi do të bëhet online.
“Kjo është një qeveri që nuk mendon as për sot dhe as për nesër për qytetarët, por mendon vetëm për veten e saj”, tha Basha, duke kujtuar koncensionet që janë dhënë nga Edi Rama për një grup oligarkësh.
Sipas tij, ndryshim nuk do të thotë rrotacion, por është ndryshimi i këtyre praktikave korruptive, që paratë të shkojnë te qytetarët.
“Ky do të jetë ndryshimi që ne do të sjellim pas 25 prillit”, tha Basha, duke akuzuar Ramën se ai kërkon të vazhdojë kështu si në këto 7 vite.