Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot takime me qytetarë dhe biznese në njësinë 2 në Tiranë.
Duke i falënderuar për mbështetjen, Basha ka kërkuar votë masive për numrin 9, për t’i dhënë jetë ndryshimit.
“Sa më shumë të kthehen, se kësaj radhe e bën me hile e pamundësuan votën e emigrantëve. Dhe unë sot po të them ty dhe çdo emigranti shqiptarë, qeveria jonë do bëjë realitet. Me votimin elektronik, çdo shqiptarë do mund të votojë, përfshirë të gjithë shqiptarët e diasporës. Të gjithë bashkë më 25, numrin 9”, tha Basha.
Kreu i PD bisedoi dhe me biznese dhe qytetarë që shprehën shqetësimet e tyre sa i përket problemeve me taksat dhe pronat.
Ai gjithashtu u zotua se biznesi i vogël dhe rregullimi i problemit të pronave janë dy prioritetet e para të qeverisë së ardhshme.
“Të gjithë ju që shisni shërbimin me djersën e ballit tuaj, por edhe i gjithë biznesi i vogël, të vetëpunësuar, apo çdo lloj biznesi i vogël, jeni shtyllë e programit tonë ekonomik për një arsye të vetme. Jeni shtylla kurrizore e ekonomisë. Kështu që e vetmja gjë që ka mbetur, votojeni atë plan, votoni ndryshimin më 25, votoni numrin 9 do fitoni ju dhe familjet tuaja”, u shpreh Basha.
“Jemi zotuar me shkrim dhe me plan që pronarëve t’u japim atë që 30 vite u kanë mohuar padrejtësisht, duke marrë përsipër edhe peshën tonë të fajit për ato që s’janë bërë në të kaluarën”, theksoi Basha.