Një ditë pas denoncimit për fshehjen e numrave të të vdekurve prej Covid, lideri i opozitës i ka bërë thirrje prokurorisë që të shkojë për të marrë provat, përpara se kryeministri dhe eksponentë të qeverisë t’i fshehin apo shkatërrojnë ato.
“Kam bërë thirrje që Prokuroria të sekuestrojë povat në morgun e Tiranës. Lajmi është shokues. Denoncimi është i ardhur nga personeli me integritet shëndetësor që nuk kam ndërmend ta publikoj këtu. Çfarë pret Prokuroria që nuk nis hetimin, që të manipulohen të dhënat?
Pse pret Edi Rama deri nesër për të dalë në konferencë për shtyp përveç se për të falsifikuar dokumentat.Shqipëria, vendi me spitale COVID pa pajisje, medikamente dhe mjete mbrojtëse për mjekët”, deklaroi Basha..
Pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Italisë Di Maio, Lulzim Basha tha se është e dukshme që qeveria do të tentojë manipulimin e të vërtetës për numrat Covid në Shqipëri, njëlloj siç ka bërë deri më sot.
“Rama bën politikë me vdekjen duke fshehur të dhënat reale të numrit të vdekjeve nga COVID. Detyra e një qeverie normale në pandemi është raportimi i numrit real të të sëmurëve dhe të vdekurve. Edi Rama të shkulet nga Instagrami dhe t’i përvishet punës konkrete në menaxhimin e krizës.
Ai që nuk lë minutin t’i ikë për të dalë në Instagram, është duke manipuluar provat. Nëse nuk ka testime, pajisje, medikamente dhe mjekë të trajnuar, spitalet janë pa asnjë vlerë. Edhe sa shqiptarë duhet të vdesin derisa Rama të marrë vendim të mos shpërdorojë buxhetin dhe të orientojë çdo shumë drejt përballimit të pandemisë?”, tha Basha.