Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot në një bashkëbisedim me gazetarët se, “qeveria nuk ka marrë asnjë masë ndërkohë që rritet numri i të prekurve me COVID-19”.
Sipas kreut të PD, “e vetmja masë e qeverisë është të gjobisë qytetarët”.
“Thesari zbrazet nga pagesat korruptive për inceneratorët dhe mbushet me gjobat mbi qytetarët. Vende të tjera kanë paguar paketën e katërt, ndërkohë që kreu i përkohshëm i qeverisë gënjen dhe për paketën e tretë. Nuk ka asnjë transparencë mbi numrin e testimeve nga shteti dhe numrin e testimeve që bëjnë privatisht vetë qytetarët. Jo vetëm 257 të shtruarit e sotëm, por edhe qindra të tjerë që nuk u bëhet tamponi në shtet, blejnë privatisht paketën e trajtimit antiCovid”, tha Basha.
Ai u shpreh se gjobat janë “përgjigja e Edi Ramës ndaj pamundësisë së qytetarëve për të mbuluar kostot e trajtimit antiCovid”.
Basha theksoi se, “spitalet COVID kanë ezauruar kapacitetet e shtrimit”, teksa shtoi se, “plani ynë me 5 pika parashikon mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor”.
Ai shtoi se plani me 5 pika parashikon mbrojtje të mësuesve dhe anulim i shpenzimeve të luksit qeveritar për të mbështetur sistemin shëndetësor dhe ekonominë.
“Plani me 5 pika parashikon pagesë mujore 160 mijë lek për çdo shqiptar që ka humbur punën, mbështetje mujore 200 mijë lek për biznesin për çdo rimarrje në punë, dyfishim i ndihmës ekonomike për familjet dhe shtesë 20 mijë lekë në muaj për pensionistët”, tha Basha.
Ai shtoi se plani me 5 pika parashikon çek mujor 1000 € për biznesin e vogël për 6 muajt e ardhshëm. Basha nënvizoi se plani me 5 pika nuk recetë për mrekulli, por frenim i rrokullisjes drejt humnerës.
“Plani me 5 pika parashikon subvencionim të qirasë për ambientet e punës për 6 muajt e ardhshëm”, u shpreh Basha.
Basha theksoi gjithashtu se, “inceneratorët janë skemë mafioze e zhvatjes së parave publike. 75 milionë euro për inceneratorë që nuk punojnë. Janë 17 vendime qeverie brenda 1 dite të vetme. 75 milionë euro nga shteti për kompani pa asnjë punëtor”./ATSH/