BE: Certifikatat e vaksinimit nga Kosova nuk pranohen për shkaqe teknike

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Certifikatat e vaksinimit nga Kosova ende nuk po njihen nga Bashkimi Evropian dhe kjo për shkak të mospërmbushjes së kushteve teknike.

Kështu kanë thënë burimet nga Bashkimi Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Këto burime thonë se përgatitjet janë në vazhdim e sipër dhe se kur të përmbushen kushtet, edhe Kosova e Bosnja e Hercegovina mund të përfshihen në këtë sistem.

Para dy ditësh, Mali i Zi iu bashkua këtij sistemi ndërsa më herët këtë e kishin bërë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Përfshirja e shteteve të treta në listën e Certifikatës Digjitale të Vaksinimit të BE-së mundësojnë që certifikatat e vaksinimit të lëshuara në ato vende me automatizëm njihen edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo do të thotë se në secilin institucion, lokal apo vend në BE, QR kodet nga to do të mund të lexohen sikurse edhe të gjitha vërtetimet e ngjajshme të lëshuara nga autoritetet e vendeve anëtare.

Mospërfshirja e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës në këtë sistem tashmë po krijon pengesa praktike për ata që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Që nga fillimi i pandemisë BE-ja ka dëshmuar përkushtimin për ta trajtuar rajonin e Ballkanit Perëndimor si partner të privilegjuar, duke i përfshirë ata në mekanizmat dhe instrumentet e BE-së në kontekstin e pandemisë COVID- 19”, ka thënë Christian Wigand, zëdhënës i Komisionit Evropian për çështje ligjore.

Ky zëdhënës i Komisionit Evropian ka nënvizuar se ekspertët e BE-së kanë pasur takime shqyrtuese me të gjithë partnerët nga rajoni dhe procesi është në vazhdim e sipër.

Ai ka thënë se BE-ja shpreson se “më shumë partnerë nga rajoni së shpejti t’i bashkohen këtij sistemi të BE-së”.

Më 16 dhjetor, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se qytetarët e Kosovës, nga janari i vitit të ardhshëm, mund të mos lejohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, pasi blloku nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit, të lëshuara në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte thënë se problemi me certifikatat është i natyrës teknike.

Share This Article