Diaspora u shfaq edhe në foltoren e Berishës në Kamzë. Teksa i deklaroi mbështetjen për nismën e re politike, Ludovik Tetaj i vendosur në SHBA prej ’90-ës, i kërkoi angazhim për të mundësuar votën e diasporës dhe emigrantëve.
“Jam Ludovik Tetaj, jetoj në Teksas të SHBA, jam larguar që në kohën e komunizmit. Nuk kisha mundësi të jap një kontribut në vitet ’90-të për demokracinë por isha një lajmëtar, i tregova botës me mundësinë e mia se çfarë po vuante populli shqiptar. Nisma që ke marrë është shumë e drejtë, pak e vonuar por më mirë vonë se kurrë. Diaspora, shumica e madhe jemi me ju dhe gjithë demokratët dhe rininë e Shqipërisë. Xho Sorra, sorra është shpend shumë i keq por tani më duket është kapur me shqiponja. Xho Soros nuk është Amerika, unë jam konservator sepse kanë luftuar kundër komunizmit. Përzemër kam Regan i cili kishte një slogan: Problemi i popullit është qeveria, pushteti. Kam dhe një kërkesë. Duhet të votojmë dhe ne, nuk ka rëndësi shkon në krahun e majtë apo të djathtë. Duhet të votojmë. Mos u ndalni, liria është gjë e madhe”.
Ish-kryeministri, teksa ka shpallur kandidaturën për kryetar të PD-së, garantoi se nuk do të ketë më zgjedhje pa votën e diasporës.
“Në vitin 2013 përpjekja ime për të vendosur, bërë të mundur ligjin për votimin e diasporës dhe emigrantëve nuk pati sukses sepse Edi Rama kërcënoi me bojkotin e zgjedhjeve. Tani të garantoj se zgjedhje të tjera pa votën e emigracionit dhe diasporës në Shqipëri nuk do të ketë, Edi Rama po të dojë të marrë pjesë po të dojë të mos marrë pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet do të bëhen me ju, kontributi juaj në këtë vend është i jashtëzakonshëm. Është e turpshme që ju të mos votoni. Shqipëria është i vetmi vend në të cilin emigracioni dhe diaspora nuk lejohen të votojnë”.