Njeriu i vetëm që ka penguar hetimet për 21 Janarin është Edi Rama. Kështu u shpreh kreu i partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK. Ish-kryeministri i kohës tha se ish-kryeprokurorja Ina Rama refuzoi prokurorin ndërkombëtar të ardhur nga SHBA për hetimet.
“Tani, do të sqaroj shqiptarët se nga viti 2013 gjer në vitin 2025, njeriu që ka penguar çdo hetim të asaj dosje ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Shqiptarët e dinë mirë, se unë nuk kam pasur, përkundrazi një armiqësi të hapur me Ina Ramën, e cila në qoftë se ky është sivëlla me Troplinin, Ina është simotër e Troplinëve. Mësoje nga unë këtë.
Përveç të tjerash. Por Ina Rama, e cila refuzoi prokurorin ndërkombëtar që unë kërkova, se erdhi prokurori ndërkombëtar, se nuk është e vërtetë që nuk erdhi, ka ardhur prokuror amerikan, nuk hetonte dot sepse i dilte Edi Rama. Dhe kërkesa zyrtare e qeverisë amerikane është kjo: të hetohet nga polici i thjeshtë tek organizatori kryesor. Kjo kërkesë ka ardhur këtu nga Thomas Countryman që erdhi i posaçëm për këtë krizë. Një”.
Ai tha se nuk ka pasur asnjë urdhër për të qëlluar drejt protestuesve dhe se Garda ka vepruar në përputhje me ligjin.
“E dyta, nuk ka asnjë diskutim që hetimi i plotë dhe zbardhja e kësaj çështje është interesi më maksimal i Sali Berishës dhe PD-së sepse ajo ishte e qartë një agjendë, ajo ishte demonstrata më e dhunshme në historinë e vendit, me një agjendë politike, përmbysjen e pushtetit. Nuk ka pasur asnjë urdhër absolutisht nga askush dhe nuk do mund ta gjejnë kurrë se ka pasur urdhër se nuk ka pasur urdhër. Garda ka vepruar në përputhje me ligjin dhe vetëm ligjin, të miratuar nga mazhoranca socialiste para ardhjes sonë në pushtet. Kaq”.




