Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka falënderuar të gjithë protestuesit e sotëm, të cilët me zërin e tyre, me protestën e tyre para parlamentit dhe së bashku me deputetët e PD-së në parlament, dridhen nga themelet narkoshtetin e regjimit, e stundimit më armiqësor ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë në tërë historinë.
Lideri i opozitës, Sali Berisha ka vlerësuar protestuesit për bllokimin e parlamentit ditën e sotme me protestën e tyre të vendosur. ‘Ky është një akt madhor i mosbindjes civile dhe një mesazh për shqiptarët dhe botën’, u shpreh Berisha në tubimin e mbështetësve të tij në ‘Rrugën e Shpresës’.
Kryedemokrati Sali Berisha ka denoncuar kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar ministrin e Brendshëm, Taulant Ballën për të arrestuar kreun e PD, Dega Kashar. ‘Rama ka urdhëruar Taulantin me 5 mbiemra të arrestojë kreun e PD të Kasharit! U bëj thirrje të mos provokojnë opozitën’, paralajmëroi Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ministrit të Brendshëm Taulant Balla në lidhje me deklaratat e tij, ku mburret se ka arrestuar shqiptarë. ‘Ti o kriminel që mburresh se ke arrestuar 600 shqiptarë në një ditë, je një porositës vrasjesh’, e akuzoi Berisha gjatë protestës në ‘Rrugën e Shpresës’.
Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar poshtë banesës së tij u ndal edhe te programi i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 2025-sës. Berisha premtoi se ‘PD e ka shpallur se epiqendra e programit tonë do të jetë investimi te qytetari, do të jetë begatia për qytetarët’.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Një përshëndetje të zjarrtë për të gjithë ata demokrate dhe demokratë, qëndrestare dhe qëndrestarë që sot me zërin e tyre, me protestën e tyre para parlamentit dhe së bashku me deputetët e PD-së në parlament, dridhen nga themelet narkoshtetin e regjimit, e stundimit më armiqësor ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë në tërë historinë.
Beteja që u zhvillua para parlamentit ishte mesazhi më i fuqishëm që PD u përcolli shqiptarëve.
Parlamenti i krimit ka humbur çdo legjitimitet. Parlamenti i mafies duhet të shuhet sa më parë.
Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira.
Të dashur miq!
Beteja jonë është betejë për të ardhmen e Shqipërisë.
Për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Është betejë për rivendosjen e shtetit ligjor dhe Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.
Beteja e narkosve, me në krye Edi Ramën, beteja e narkodeputetëve që patë sot në parlament, është betejë për mbrojtjen e plaçkës së tmerrshme që kanë bërë ndaj shqiptarëve.
Pasuritë e tyre të krimit, lidhjeve të tyre me bandat dhe drogën.
Pra, është betejë për interesat e tyre personale kriminale.
Edi Rama e di se bashkë me suitën e tij ka vetëm një vend, në burg, në burg dhe në dekada burgu.
Ndaj dhe ai përpëlitet dhe do bëjë çdo gjë, nuk do lërë gur pa lëvizur, nuk do lërë përpjekje pa bërë që të mbahet me dhëmbë në pushtetin e krimit.
Por koha ka ardhur që të kalojmë në betejë të pandërprerë, në betejë të betuar se ndërpresim atë vetëm pas krijimit të qeverisë teknike.
Narkoshteti është i rrethuar sot nga të gjitha anët.
Mediat, pushtet themelor në një sistem demokratik, janë në këmbë në Itali, në Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe, SHBA dhe kudo kundër narkoshtetit të Tiranës.
Kundër tiranit të drogës, kundër Çubrilloviçit që ka shpopulluar Shqipërinë, kundër armikut të opozitës, armikut të egër të lirive të shqiptarëve.
Dhe kjo është një mbështetje e jashtëzakonshme për ne.
Çdo ditë kjo mbështetje vjen dhe bëhet më e madhe.
Çdo ditë, lidhjet me drogën dhe krimin të Edi Ramës, Taulant Ballës, Fatmir Xhafës, Ulsi Manjës, ndrikullave të partisë, Engjëll Agaçit, Ergys Agasit e dhjetëra e dhjetëra zyrtarëve të tjerë, nxijnë dhe më shumë, bëhen më të shëmtuara.
Miqtë e mi!
Ka vetëm një rrugë, rruga e protestës dhe përballjes.
Rruga e fitores.
Keni qëndruar sot orë të tëra në kupë të vapës, në diell. Keni bllokuar parlamentin.
Ky është një akt madhor i mosbindjes civile. Ky është një mesazh për shqiptarët dhe botën.
Kjo është një mbrojtje e guximshme e interesave jetike të çdo shqiptari të vërtetë.
Ndaj dhe në këmbë të gjithë, të vazhdojmë betejën tonë.
Sepse vetëm mosbindja jonë civile, vetëm zemërimi ynë i pakufishëm, vetëm revolta jonë do mund t’i japë përgjigje Edi Ramës, njeriut që në historinë e këtij kombi do mbahet mend si shpopulluesi më i egër i shqiptarëve.
Si kryeministri që kreu gjenocid të vërtetë ndaj kombit shqiptar duke krijuar kushte të llogaritshme për largimin e tyre nga dheu i tyre.
Miqtë e mi!
Mos harroni kurrë kur vetëm pak vite më parë, rrihnin gjoksin se kishin arrestuar në një vit 38 mijë shqiptarë për dritat e papaguara, për faturat e ujit, për çështjet civile.
As në diktatura nuk ndodh kjo.
Por kjo ndodh në atë diktaturë që nuk ka ligj, moral, kod dhe asgjë.
Dhe që kërkon me çdo kusht të mbjellë terror, terror dhe vetëm terror.
Të dashur miq!
Këto ditë një nga eksponentët më kryesorë të trafiqeve të drogës, të porositjes së vrasjeve, të lidhjeve të tmerrshme me bandat Shkodër, Krujë, Elbasan, Durrës, Taulanti me 5 mbiemra, rrah gjoksin se vetëm në një ditë policia thotë arrestoi 600 qytetarë.
A nuk është ky një terror masiv ndaj shqiptarëve nga një grusht kriminelësh me pushtet?
Qytetarë dhe qytetare, ky që rrah gjoksin se arrestoi në një ditë 600 shqiptarë, mos harroni se dy javë më parë me mercenarin Altin Dumani dhe kriminelë të tjerë përcolli për turizëm kokaine, për vrasje me porosi 7 bosët e familjeve më të madhe mafioze dhe lejtnantët e tyre pa u hyrë ferrë në këmbë.
A nuk është kjo një fytyrë e zezë e narkoshtetit në Shqipëri?
Ata të cilët sjellin në Shqipëri tonelata kokaine dhe eksportojnë në Europë, ata nuk arrestohen, ata lajmërohen, ata mbrohen, ndërsa fatkëqinj, që janë viktima të veprimtarisë së tyre, arrestohen dhe plasen në burgje sikur të mos ishin qenie njerëzore.
Po ti o kriminel që mburresh se ke arrestuar 600 shqiptarë në ditë, je një porositës vrasjesh, ti je më i zi nga vrasësit e paguar, sepse ti mban karrigen e ministrit dhe zbaton porositë e kryekriminelit, e kreut të Meduzës, kreut të krimit të organizuar, Edi Ramës.
Miqtë e mi!
Rruga që kemi zgjedhur nuk është një rrugë e lehtë.
Kemi të bëjmë me kriminelë, me vrasës, me banditë.
Por nuk ka forcë në botë që na ndalon ne pa i mposhtur ata.
Sot, Edi Rama ka urdhëruar Taulantin me 5 mbiemra të arrestojë kryetarin e degës së PD të zonës së Kasharit, zotin Arsen Valisi.
Paralajmëroj Ballën të lirojë menjëherë dhe të mos provokojë se absolutisht çdo ditë e tij në qeli, do jenë vite burgu për ty.
Ndaj dhe le të vazhdojmë ne, të pamposhtur në këtë betejë përcaktuese, vendimtare për fatin tonë.
Për fatin e fëmijëve tanë, për fatin e Shqipërisë.
Në qoftë se pranojmë që Bashkia e Tiranës të jetë strofulla e krimit, ku Erion Veliaj me drejtorë të vjedhë 100 përqind paratë e taksapaguesve të Tiranës.
Në qoftë se pranojmë që kryeministria të jetë strofulla e krimit, ku Edi Rama të drejtojë klanet mafioze shqiptare, në Shqipëri, Ballkan, Amerikën e Jugut, Lindjen e Mesme, kudo në botë.
Historia kurrë nuk do të na e falë.
Por ne jemi në këmbë për t’u përballur dhëmb për dhëmb me këto banda, me këta kriminelë.
Ne jemi në këmbë se vërtet sot i mbron Altin Zamani me mercenarët e organizatës së tij kriminale.
Por garantojmë shqiptarët se nesër, një nga një do varen në shtyllën e turpit të historisë.
Një nga një do japin llogari për çdo qindarkë që u kanë vjedhur ju.
Me gërshërët e ligjit do presim çdo lidhje kriminale të tyre.
Në vend sot bien kudo sirenat e skamjes.
Sirenat e xhepit bosh.
Sirenat e numërimit të kafshatës.
Edi Rama rrokullisi Shqipërinë në vendin e fundit në Europë për të ardhura për frymë.
Me rrogat më të ulëta.
Shndërroi pasuritë përrallore të vendit në një mallkim për qytetarët dhe parajsë për bandën e tij.
Miqtë e mi!
Duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të mos numërojnë paratë e jetesës së tyre.
Të mos numërojnë ushqimet që marrin për të kaluar muajin.
Që shqiptarët të kenë mundësi të përfitojnë nga pasuritë e këtij vendi.
PD e ka shpallur dhe e shpall se epiqendra e programit tonë do të jetë investimi te qytetari.
Do të jetë begatia për qytetarët.
Do të jetë ripopullimi i Shqipërisë.
Do të jetë zero tolerancë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
Do të jetë Shqipëria në rrugën e integrimit, e sigurt vend anëtar i BE.
Sot në historinë e botës është një ditë e madhe. Është dita e zbarkimit në Normandi të fuqive aleate, zbarkim që shpëtoi Europën nga tirania e zezë.
Nderim të gjithë atyre që ranë dhe fituan pavdekësinë për lirinë e Europës, lirinë e kombeve të tyre.
Por sot duhet të rikujtoj se midis të gjithë diktaturave, më e zeza, më brutalja, më mizorja është diktatura e krimit dhe e bandave.
Është diktatura që ka larguar nga Shqipëria vetëm në hapësirën e BE 1 milion shqiptarë.
Ndaj dhe luftëtarë lirie, të përmbushim misionin tonë, të çlirojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!