Deputeti shqiptar Besian Mustafa ka ndarë momente kur 21 vjet më parë mori informatën se babai i tij Xhemajl Mustafa, bashkëpunëtori i afërt i presidentit historik Ibrahim Rugova, ishte vrarë.
21 vjet më parë anëtari i LDK-së, Xhemajl Mustafa, u qëllua për vdekje më 23 nëntor të vitit 2000 në hyrje të objektit ku gjendej banesa e tij në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Ai ka përshkruar edhe mënyrën se si e mori vesh për vdekjen e të atit.
“E enjte, 23 nëntor, 2000. Ditë e rëndomtë mësimi në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë. Arsimtari(ja?) sqaronte diçka… nuk di, s’kisha mendjen aty. Si 16 vjeçar, i sapombijetuar nga lufta një vit e gjysmë më parë, s’ishte çudi që mendja të kishte planet e saj, këmbët e saj. Qetë, si me drojë, hapet dera e klasës dhe brenda hyjnë motra Beriana dhe drejtori i shkollës. ‘Bes’ më drejtohet ajo ‘merre çantën dhe jaknen edhe hajde’. Mendjen mjegull nga mendimet e mëparshme dalë nga klasa pa pyetur asgjë. Në korridor më priste gruaja e dajës Xhevahirja. Rrugës në veturën e Xhevës, nga Sami Frashëri tek parkingu i lagjes ‘Santea’ nuk folëm shumë. ‘Babin e kanë plagosë’ tha Beri dhe asnjë fjalë. S’dilja dot nga mjegulla… kush e paska plagosë babin? Pse babin? Ai s’i ka ba keq kurrkujt kurgjo… a janë të sigurt që babin e kanë plagosë? Në kaosin e pasluftës njerëzit plagoseshin çdo ditë, ndoshta s’e kanë plagosë babin? ‘A je ti djali i zotëri Mustafës?’ më pyet në anglisht një polic i UNMIK-ut. ‘Po’ i them unë. ‘Më vjen keq por babi yt nuk mbijetoi’ ma pret ai sikurse të fliste për rezultatin e ndonjë loje futbolli apo çmimin e ndonjë fruti në treg”, ka shkruar ai.
E Mustafa thotë se mendjen vazhdon të ia mbështjellë e njëjta mjegull e mëngjesit, po si atë ditë.
“S’dal dot nga ajo. Kthehem brenda në butikun ‘Charlie’ ngjitur hyrjes se banesës sonë – s’na kishin lënë të ngjitemi lartë në banesë, babin e kishin ‘plagosë’ mbi shkallët e katit të parë të hyrjes – dhe u tregoj çka më kishte thënë polici. Ulem diku, nuk dëgjoj asgjë. I shihja të gjithë duke qarë e nxjerrë shpirtin plot mërzi. Por s’i dëgjoja. Mendjen e kisha plot mjegull. Sot 21 vjet më vonë. S’dal dot nga kjo mjegull”, ka shkruar Besian Mustafa në Facebook.