Teksa numri i qyteteve që talebanët kanë marrë nën kontroll në Afganistan është rritur në pesë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se plani për tërheqjen e trupave nga Afganistani do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë.
Sipas lajmit të “New York Times” i cili bazohet në zyrtarë të lartë të paidentifikuar, Shtëpia e Bardhë nuk planifikon të rishikojë planin e saj për Afganistanin.
Pasi kanë theksuar se ka kuriozitet se çfarë hapi do të ndërmarrë administrata e Uashingtonit përballë përparimit të shpejtë të talebanëve në vend, zyrtarët kanë bërë të ditur se po ndjekin nga afër zhvillimet në qytetin Kunduz.
Zyrtarët deklaruan se kundër talebanëve po ndërmerren vetëm sulme ajrore të kufizuara dhe se nuk pritet që të ndërmerret ndonjë hap më gjithëpërfshirës përtej kësaj.
Një zyrtar që ka folur për gazetën, informoi se në Afganistan kanë mbetur rreth 650 ushtarë amerikanë dhe se plani i tërheqjes vazhdon në mënyrën e përcaktuar.
Numri i qyteteve ku forcat e sigurisë së qeverisë afgane kanë humbur kontrollin përballë talebanëve është rritur në pesë, pasi qyteti Talukan, qendra e rajonit Tahar në verilindje kaloi nën kontrollin e organizatës.
Pretendohet se talebanët kontrollojnë mbi 80 për qind të territorit të Afganistanit.
Sipas OKB, nga sulmet e talebanëve kanë humbur jetën mbi 1 000 civilë vetëm muajin e fundit.