Presidenti amerikan Biden thotë se administrata e tij nuk dëshiron të shohë ndonjë ndryshim në “Marrëveshjen e së Premtes së Mirë”
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka përsëritur paralajmërimin e tij se paqja në Irlandën e Veriut nuk duhet të rrezikohet nga tensionet e lidhura me rregullat pas Brexit-it.
Paralajmërimi i Bidenit erdhi gjatë një takimi të Zyrës Ovale me kryeministrin britanik Boris Johnson.
Ai nënvizoi rëndësinë e ekuilibrit në rajon, i cili u krijua nga Marrëveshja e Belfastit (E Premtja e Mirë) e vitit 1998.
“Ndihem shumë fort”, iu përgjigj ai një pyetjeje në lidhje me protokollin e Irlandës së Veriut. “Ne kaluam një periudhë të madhe kohe dhe përpjekje në SHBA. Ishte një përpjekje e madhe përkrahëse dhe nuk do të doja të shihja, ashtu edhe shumë nga kolegët e mi republikanë, një ndryshim në marrëveshjen irlandeze”, tha Biden.
Në përgjigje, Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar është “plotësisht e unifikuar, sepse askush nuk dëshiron të shohë asgjë që ndërpret ose çekuilibron Marrëveshjen e Belfastit ose të Premtes së Mirë”.
Biden, i cili ka rrënjë irlandeze, ka paralajmëruar vazhdimisht se paqja në Irlandën e Veriut dhe Marrëveshja e Premtes së Mirë duhet të ruhen.
Javën e kaluar, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi kishte paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar se një marrëveshje e mundshme tregtare SHBA-Britani e Madhe do të rrezikohej nëse mosmarrëveshjet me BE-në, e cila kërcënon paqen në Irlandën e Veriut, nuk kapërcehen.
Dhjetëra policë u plagosën, u dëmtuan autobusët publikë dhe automjetet gjatë trazirave nga grupet lojaliste në Irlandën e Veriut në fillim të këtij viti.
Lojalistët argumentojnë se Protokolli i Irlandës së Veriut, i cili e përafron rajonin me BE-në në një përpjekje për të shmangur një kufi të fortë në ishull, krijoi një kufi “de facto” midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe, duke imponuar një kontroll kufitar të mallrave midis Britanisë dhe rajonit.
Në një fjalim të fundit, lideri i Partisë Unioniste Demokratike, Jeffrey Donaldson theksoi gatishmërinë e tij për të rrëzuar Stormont (Asamblenë e Irlandës së Veriut) nëse protokolli nuk ndryshohet në mënyrë thelbësore.
Irlanda e Veriut votoi për të qëndruar në BE në një referendum të vitit 2016, por ka frikë se procesi i Brexit-it mund të shkaktojë armiqësi në rajon.
Problemet, një epokë konflikti midis qeverisë britanike dhe paramilitarëve pro-britanikë nga njëra anë, dhe republikanëve irlandezë dhe nacionalistëve nga ana tjetër-përfunduan në vitin 1998 kur Marrëveshja e Belfastit i dha fund luftës së armatosur me dekada në rajonin e ndarë të Britanisë, në Irlandën e Veriut.
Britania e Madhe dhe Republika e Irlandës nënshkruan marrëveshjen, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe 8 parti politike në Irlandën e Veriut, më 10 prill 1998.
Marrëveshja e quajtur Marrëveshja e së Premtes së Mirë, i dha fund dhunës së epokës së turbulencës, në të cilën 3.500 persona humbën jetën.

