Unioni i Transportit Urban kërkon që çmimi i biletës për urbanët në Tiranë të rritet në 80 lekë.
Kjo kërkesë e tyre vjen si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, për të cilën, operatorët thonë se ndikon drejtpërdrejt në shërbimin që ata ofrojnë.
Sipas tyre, kjo është zgjidhja e vetme për të shmangur kolapsin e këtyre kompanive. Ata thanë se për shkak të rritjes së çmimit të naftës nga dita e sotme çdo operator bazohet në mundësitë e veta dhe ka nxjerrë në terren atë pjesë të flotës bazuar në punën dhe të ardhurat që ka.
Shqipëria po përballet me një krizë historike karburantesh. Por qeveria duket se e ka gati përgjigjen për të gjithë ata që ankohen.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka një këshillë për shqiptarët ndërsa çmimet e karburanteve vijojnë të rritjen dita-ditës. Ajo sugjeroi që në vend të makinës, të ecin në këmbë.
“Çmimi i energjisë është një hall shumë i madh, por sot po mbahet në kurriz nga qeveria shqiptare, nuk po e ndjen familjari. Kjo është edhe arsyeja pse po diskutojmë si të ulim çmimin e naftës. Ka edhe një mundësi tjetër për naftën. Duhet të konsumojmë më pak. Mos marrim makinën për të blerë bukë apo cigare te cepi i rrugës, por të ecim në këmbë. Kështu ndodh kur rriten çmimet. Ky është një produkt që tregtohet nga privatët dhe nuk ka çfarë bën shteti”.