Një anije e madhe për transportimin e mallrave ka ngecur në Kanalin e Suezit pasi lundrimi i saj u devijua nga era e fuqishme, duke shkaktuar tollovi të madhe në transportin ujor në njërën prej rrugëve më të rëndësishme ujore në botë.
Anija “Ever Given”, e cila është 400 metra e gjatë dhe peshon 220.000 tonë, u bllokua afër fundit jugor të kanalit të martën. Disa përpjekje për ta zhbllokuar atë dështuan, shkruan The Guardian.
Sipas raportimeve të para, spekulohet se anija ka mbetur pa burim energjie, por operatori i saj, kompania “Evergreen Marine Corp”, deklaroi: “Anija aksidentalisht e preku bregun pasi dyshohet se u godit nga një erë e fuqishme.”
Parashikuesit egjiptian të motit thanë se kjo zonë është prekur nga era e fuqishme dhe stuhia e rërës të martën.
“I tërë ekuipazhi është i sigurt. Nuk ka raporte për persona të lënduar apo ndotje”, tha kompania që e menaxhon anijen gjigante.
Sipas një eksperti të tregtisë, anija e bllokuar në Kanalin e Suezit është pjesë e një kategorie të re të anijeve ultra të mëdha, të cilat madje nuk mund të kalojnë as nëpër Kanalin e Panamasë për shkak të përmasave të jashtëzakonshme.
Anija e bllokuar në kanal është nisur nga Kina dhe destinacion e ka Roterdamin e Holandës. Me të operon një kompani tajvaneze, ndërsa është e regjistruar në Panama.