Barcelona ka fituar të di elën në mbrëmje një ndeshje shumë të rëndësishme në La Liga kundër Atletikos së Madridit. Një gol i ish-it, Zhoao Feliks, i ka dhënë suksesin dhe tri pikët katalanasve, që nuk kanë lënë terren në garën me dy kryesuesit e kampionatit, Reali i Madridit dhe Girona. Por ndeshja e së dielës dhe në veçanti minutat në fund të takimit nuk kanë kaluar pa polemika.
E veçanta është se polemikat kanë qenë mes kampionëve të Spanjës dhe trupës së gjyqtarëve. Dy gazetat e Madridit, “Marca” dhe “AS”, kanë bërë me dije se nga klubi katalanas pretendojnë se kanë kapur një nga asistentët e gjyqtarit duke përgjuar në dhomat e zhveshjes së lojtarëve të Barcelonës në fund të takimit. Barcelona konsideron se gjyqtari i ndeshjes Sançez Martinez duhet të kishte dhënë një penallti, për një goditje të Mario Hermosos ndaj Zhoao Feliks.
Sikurse pretendojnë dhe për një karton të kuq të munguar për Azpilikuetën. Ky shqetësim i lindur pas ndeshjes kundër Atletikos së Madridit, shton indinjatën dy javë më parë për vendimet e Munuera Monteros në Madrid përballë Vajekanos. Në Barcelonë janë të bindur se në atë takimin ishin dy penallti, të cilat nuk u dhanë në favor të Rafinjës dhe Levandovskit. “Gjatë gjithë kësaj jave është folur vetëm për marrëzi kur duhet të kishim folur për ndeshjen me Vajekanon dhe penalltinë kundër Rafinjës ose atë që nuk i dhanë Levandovskit. Nëse kjo do të kishte ndodhur me Madridin, jam i sigurt se do të ishte bërë bisedë gjatë gjithë javës”, komentoi pak ditë më parë Laporta.
SPIUNAZHI – Ajo që e befasoi më së shumti skuadrën katalanase në përballjen me “Colchoneros”, ishte qëndrimi i njërit prej gjyqtarëve pasi ndeshja kishte përfunduar. Një nga asistentët e Sançez Martinez, Kamanjero Martinez qëndroi, sipas punonjësve të Barcelonës, duke dëgjuar në derën e dhomës së zhveshjes së skuadrës së Ksavi, çfarë po thoshin lojtarët. Disa nga britmat natyrisht që i adresoheshin dhe gjyqtarëve për rastet e lartpërmendura. Një nga anëtarët e stafit të trajnerit e qortoi për atë që po bënte. I njëjti arbitër tashmë hyri në zonën e Barçës në pjesën e parë, diçka që ata nuk lejohen ta bëjnë.
PROCESVERBALI – Incidenti mes stafit të Barcelonës dhe gjyqtarëve është regjistruar edhe në procesverbalin e pas takimit. “Pasi mbaroi ndeshja, në tunelin e dhomës së zhveshjes, një person i identifikuar nga klubi vendas si Eduard Polo, shef i shtypit për stafin teknik, iu drejtua asistentit 1, në mënyrë ofenduese, me fjalët: ‘Ti, çfarë po bën këtu?’ “. Ndërkaq nga Barcelona sqarohet se asistenti i parë i Sançez Martinez nuk ka qenë në tunel, por në derën e dhomës së zhveshjes së ekipit vendas.