Bora zbardh Kukësin, trashësia deri në 10 centimetra në qytet. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Pas dy ditëve me reshje të dendura shiu në qarkun e Kukësit, kanë nisur reshjet e dëborës, me intensitet të ulët deri mesatar, kryesisht në zonat e thella malore. Shiu i ka lënë vend borës, e cila ka sjellë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

Në qytetin e Kukësit, bora  nuk ka shkaktuar probleme serioze në qarkullim. Ndërkohë, reshjet e borës janë mesatare në zonat e thella malore, si Valbona dhe Shishtaveci, ku trashësia e saj ka kaluar rreth 10 centimetra.

Subjektet kontraktore kanë vijuar punën me kapacitet maksimal për pastrimin e borës, inerteve dhe kriposjen e rrugëve nacionale. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.

Po ashtu, aksi Morinë–Kukës–Tuneli i Kalimashit i Rrugës së Kombit mbetet i hapur dhe i qarkullueshëm. Kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit është e angazhuar në pastrimin e autostradës, ndërsa mjetet borëpastruese ndodhen në terren për të mbajtur hapur këtë arterie të rëndësishme që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Deri më tani nuk raportohen probleme në qarkullim apo në furnizim, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të udhëtojnë me goma dimërore dhe të jenë të pajisur me zinxhirë, veçanërisht në akset malore.

Bashkitë, me kapacitetet e tyre, po punojnë për eliminimin e pasojave të shkaktuara nga reshjet e shiut në infrastrukturë. I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç njësive administrative Bicaj dhe Ujmisht në Bashkinë Kukës, ku ende vijon puna për rikthimin e energjisë.

Share This Article