Diego Maradona, gjerësisht i konsideruar si një prej futbollistëve më të mirë të gjitha kohërave para se varësia nga droga ia njollosi karrierën, ka vdekur sot në shtëpinë e tij në Argjentinë pasi pësoi sulm në zemër, ka njoftuar avokati i tij. Maradona ishte 60-vjeçar.
I adhuruar në shtëpinë e tij pasi e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës të vitit 1986 dhe i adhuruar në Itali pasi e drejtoi Napolin drejt dy titujve të Series A, Maradona, ishte një lojtar me dhunti unike dhe një figurë karizmatike.
Ai vdiq saktësisht katër vjet pas niërit prej idhujve të tij politik, ish-liderit kuban Fidel Castro, dhe 15 vjet pas një prej talentëve tjerë të mëdhenj të futbollit, George Best.
Maradona së fundi kishte pasur probleme shëndetësore dhe pati një operim emergjent disa javë më parë për shkak të një hematome subdurale.
Ai pësoi sot sulm në zemër në shtëpinë e tij në periferi të Buenos Airesit. Vdekja e tij është konfirmuar nga avokati i tij.
Në Buenos Aires, njerëzit janë mbledhur në rrugë për të nderuar idhullin e tyre, duke mbushur rrugët në lagjen San Andres, ku ai ka jetuar dhe po ashtu në La Plata, ku ai së fundi ka qenë drejtor teknik i skuadrës lokale Gimnasia y Esgrima.
Qeveria e Argjentinës ka shpallur tri ditë zie nacionale. Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez, në Twitter, ka shkruar: “Na ke dërguar në pikën më të lartë në botë, na ke bërë shumë të lumtur. Ishe më i madhi nga të gjithë. Faleminderit që ishte me ne, Diego. Do të na mungosh gjithë jetën”.
Në Argjentinë, ai ishte njohur si “El Dios” – Zoti.
Në një postim në Twitter, Federata e Argjentinës ka shkruar se ai do të jetë i përjetshëm, transmeton KOHA.
“Lamtumirë Diego. Do të jesh i përjetshëm në çdo zemër të planetit të futbollit”, ka shkruar Federata.