Anglia dhe Skocia përditësuan sot klasifikimin e tyre të vendeve sipas rrezikut COVID-19, duke ashpërsuar kufizimet e udhëtimit për mbërritjet nga disa vende që po përballen me një rritje të rasteve.
Sipas rregullores së re, udhëtarët që kthehen nga Ishujt Balearike, por edhe nga Kuba, Indonezia, Burma dhe Sierra Leone, do të duhet të karantinoren për 10 ditë pas mbërritjes në territorin anglez ose skocez, përveçse nëse janë rezidentë britanikë të vaksinuar plotësisht.
“Ky vendim u mor për shkak të një rritjeje të mprehtë të numrit të rasteve”, shpjegoi Ministria e Transportit.
Kuba, Indonezia, Burma dhe Sierra Leone tani janë vendosur në listën “zonë e kuqe”, niveli më i lartë i alarmit shëndetësor, që do të thotë se vetëm banorët britanikë do të mund të kthehen nga këto vende dhe se ata do t’i nënshtrohen një karantine 10-ditore në një hotel, me shpenzimet e tyre.
Nga ana tjetër, udhëtarët që kthehen nga Bullgaria dhe Hong-Kongu, të listuar në “zonë e gjelbër”, nuk do të duhet të bëjnë 10 ditë karantinë pas mbërritjes në Angli ose Skoci.
Pavarësisht progresit në vaksinim, BM, vendi i dytë në Europë më i prekur nga pandemia, me më shumë se 128 000 vdekje, po përballet prej disa javësh me një rritje të rasteve që i atribuohen variantit Delta të COVID-19.