Qeveritë e huaja do të ndalohen të zotërojnë gazeta apo revista në Mbretërinë e Bashkuar. Masa e qeverisë britanike vjen pas shqetësimit për marrjen e mundshme të Daily Telegraph dhe Spectator nga një grup i financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe laburistët janë shprehur se do të mbështesin ndryshimin ligjor që pritet të debatohet javën e ardhshme.
Qeveria tha se ligji do të “sigurojë mbrojtje shtesë për një shtyp të lirë”. Ditët e fundit kishte një presion në rritje ndaj qeverisë për të vepruar. Madje ajo rrezikonte të humbiste mbështetjen e Dhomës së Lordëve që kërkonin të shihnin veprime urgjente. Duke prezantuar ndryshimin Lord Parkinson tha se ligji i ri do të “përjashtonte shkrirjen e gazetave dhe revistave periodike të lajmeve që përfshijnë pronësinë, ndikimin ose kontrollin nga shtetet e huaja”.
Qeveria do të prezantojë një amendament në projektligjin për tregjet dixhitale, konkurrencën dhe konsumatorët për të bllokuar marrëveshje të tilla. Lordi Parkinson konfirmoi gjithashtu se ndalimi i blerjes nuk do të zbatohej për transmetuesit. Nisma vjen kur fondi i investimeve RedBird IMI vazhdon përpjekjet për të marrë kontrollin e gazetave Daily dhe Sunday Telegraph si dhe revistës Spectator, pas shlyerjes së borxheve të pronarit të tij të mëparshëm.
Fondi është 75% në pronësi të Sheikh Mansour, i cili është zëvendëskryeministër dhe nënkryetar i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe i njohur në Mbretërinë e Bashkuar për transformimin e klubit të futbollit Manchester City. Qeveria po tenton të miratojë ligjin përpara se të arrihet marrëveshja e blerjes së Telegraph Media Group. Burime të afërta me këtë çështje i thanë BBC-së, se oferta duket se do të dështojë për shkak të presionit politik. ©LAPSI.al