Inteligjenca britanike paralajmëron deputetët për aktivitetet e një agjenteje kineze

 450 total views,  1 views today

Në një letër dërguar ligjvënësve, kryetari i parlamentit Lindsay Hoyle ka thënë se MI5 e ka paralajmëruar atë se “një grua e quajtur Christine Lee është e përfshirë në aktivitete të ndërhyrjes politike në emër të Partisë Komuniste Kineze

Shërbimi i brendshëm i inteligjencës britanike MI5 paralajmëroi se një grua me kombësi kineze është përpjekur të krijojë ndikim tek deputetët e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një letër dërguar ligjvënësve, kryetari i parlamentit Lindsay Hoyle ka thënë se MI5 e ka paralajmëruar atë se “një grua e quajtur Christine Lee është e përfshirë në aktivitete të ndërhyrjes politike në emër të Partisë Komuniste Kineze dhe është angazhuar me anëtarët e parlamentit këtu”.

Shërbimi i inteligjencës paralajmëroi se gruaja, e cila është avokate, ka qenë në kontakt me anëtarët e grupit parlamentar tashmë të shpërbërë Britani-Kinë, si dhe deputetë dhe kandidatë për deputetë.

“U përcaktua se Lee ka vepruar në mënyrë të fshehtë në koordinim me Departamentin e Punës së Frontit të Bashkuar të Partisë Komuniste Kineze dhe ishte e përfshirë në aktivitetet e ndërhyrjes politike në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në paralajmërim.

Kryetari i parlamentit u ka kërkuar gjithashtu ligjvënësve që të kontaktojnë drejtorin e sigurimit parlamentar nëse Lee u afrohet.

Shtypi britanik ka shkruar se pavarësisht këtij paralajmërimi, personi në fjalë nuk është deportuar apo ndjekur penalisht.

Shqetësimet për aktivitetet e spiunazhit kinez janë rritur në vazhdimësi në Britani. Richard Moore, kreu i shërbimit të jashtëm të inteligjencës MI6, më herët ka thënë se Kina është bërë “prioriteti i vetëm kryesor”. Britania dëboi tre spiunë kinezë që pretendonin se ishin gazetarë në vitin 2020.