Autoritetet shëndetësore në Britaninë e Madhe të enjten raportuan shifër rekorde prej 55.892 rastesh të reja të koronavirusit për 24 orë.
Përpos numrit të madh të infeksioneve në ditën e fundit të vitit 2020, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 964 raste fatale, shkruan Anadolu.
Kështu, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga pandemia në shtetin ishullor shkoi në 73.512. Ditëve të fundit, në Britani vazhdimisht janë regjistruar mbi 50.000 raste në ditë.
Numri i rasteve gjatë javës së kaluar është rritur për 24.3 për qind dhe ka shkuar në rreth 300.000. Mesatarja ditore e rasteve ka qenë mbi 40.000.
Shifrat filluan të rriten javën e kaluar, pas raportimeve për përhapjen e së paku dy varianteve të reja të koronavirusit. Varianti i parë i ri besohet se përhapet 70 për qind më shpejt se varianti fillestar i virusit.
Britania së fundi e miratoi për përdorim vaksinën e dytë të koronavirusit, të zhvilluar nga kompania “AstraZeneca” në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Më parë, ky shtet e ka miratuar edhe vaksinën e kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”.