Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, ka deklaruar sot se i ka propozuar homologut të tij, Glauk Konjufcës që dy shtetet të bëjnë fushatë për njohje të shtetit të Kosovës, me shpenzime të përbashkëta.
Pas takimit me Konjufcën, Cakaj tha se i kanë trajtuar disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin mes dy shteteve.
Ndër to tha se është edhe ajo për nënshkrimin e një marrëveshje për lobimin e njohjeve të Kosovës, me shpenzime të përbashkëta në mes të dy shteteve.
“Me z.Konjufca trajtuam disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin. E shprehëm gatishmërinë për zhvillimin e ambasadave të përbashkëta. Ne jemi të gatshëm edhe në një numër të konsiderueshëm që të vazhdojmë në të njëjtën praktikë. Dua të theksoj se marrë parasysh se kemi nevojë për konkretizim të bashkëpunimit dhe mbledhje të dy qeverive, i kam propozuar z.Konjufca dy marrëveshje fillestare, e para është që duhet të mblidhemi që të firmosim një marrëveshje për ndarje të shpenzimeve në një fushatë për lobimin e njohjeve të Kosovës. Marrëveshja e dytë është ajo për transmetimin e përvojave në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ai./ATSH/