Londër – Carrie Johnson, gruaja e re e Kryeministrit britanik Boris Johnson, ka hedhur hapin e saj të parë në skenën globale kur i uroi mirëseardhjen Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Zonjës së Parë Jill Biden në Cornëall, në jug-perëndim të Anglisë.
Debutimi i saj si “Zonja e Parë” e Britanisë vjen vetëm dy javë pasi ajo dhe Kryeministri, me të cilin ajo ka një djalë një vjeç, u martuan në një ceremoni të mbajtur të fshehtë deri pas ngjarjes.
Të premten, 33-vjeçarja do të jetë në qendër të vëmendjes kur ajo dhe burri i saj të mirëpresin edhe udhëheqësit e tjerë të Grupit të Shtatë kombeve – Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë – dhe partnerët e tyre në Samitin e G7 në Cornëall, në hotelin “Carbis Bay”.
Çiftet Biden dhe Johnson u takuan në breg të detit të enjten në Carbis Bay para se gratë të largoheshin për të pirë çaj së bashku e të dy udhëheqësit për një takim dypalësh.
Ndërsa dy udhëheqësit pozuan për foto përpara bisedimeve, Biden vuri në dukje se ishte një kënaqësi të takonte gruan e re të Johnson.