Një email i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i bërë publik në bazë të Ligjit për Lirinë e Informacionit (FOIA), udhëzon stafin e sektorit të komunikimeve të mos përfillë kërkesat për informacion të ardhura nga Zëri i Amerikës, sipas dokumenteve të publikuara nga Instituti Knight për Amendamentin e Parë.
Ndër dokumentet e lëshuara, sipas detyrimit të përcaktuar në ligjin FOIA, përfshihet një email i datës 30 prill, dërguar nga Michawn Rich me titullin “Skenari”. Emaili përshkruan procesin e kërkesave nga mediat për CDC-në, për të ndihmuar një bashkëpunëtore të quajtur Rachael për të “menaxhuar detyrën e saj të re”.
Zonja Rich, një zëdhënëse e Departamentit të Bujqësisë, u transferua në CDC në fillim të këtij viti për të ndihmuar në menaxhimin e komunikimeve që lidhen me pandeminë, njoftoi Politico.
Tek pjesa për miratimin e kërkesave për media përpara se ato të dërgohen në Departamentin e Shëndetit ose Zyrën e Nënpresidentit, emaili thotë: “SHËNIM: si rregull, mos përcillni tek eprorët kërkesa (për intervista) nga Greta Van Susteren, ose kushdo që ka lidhje me Zërin e Amerikës”.
Në email gjendet në vazhdim një link që të referon tek një material i botuar në buletinin e përditshëm të Shtëpisë së Bardhë ku VOA, një transmetues i financuar nga Shtetet e Bashkuara, akuzohet se promovon propagandën e huaj.
Emrat e personave të tjerë të përmendur në dokument përfshijnë drejtorin e përkohshëm të CDC-së për marrëdhëniet me publikun dhe zyrtarët e çështjeve publike të CDC-së.
CDC-ja e pranoi kërkesën e Zërit të Amerikës për koment dhe tha se një zëdhënës do ta ndiqte çështjen. Në kohën e publikimit të këtij shkrimi, Zëri i Amerikës nuk kishte marrë përgjigje.
Prezantuesja veterane e lajmeve dhe avokatja amerikane Van Susteren drejton emisionin e përjavshëm “Plugged In” në Zërin e Amerikës dhe gjithashtu punon për transmetuesin amerikan Gray Television, ku ajo drejton një program javor politik.
“Gjëja që më shtang është se bëhet fjalë për Zërin e Amerikës dhe se unë jam përmendur konkretisht. Askush në CDC, ose në Shtëpinë e Bardhë apo kudo tjetër, nuk ka thënë ndonjëherë që raportimi im për koronavirusin ose ndonjë gjë tjetër ka qenë i padrejtë ose i pasaktë”, i tha Zërit të Amerikës zonja Van Susteren, duke shtuar se ishte “absurde të fusësh një person në listën e zezë”.
Greta Van Susteren ka raportuar gjerësisht rreth pandemisë në të dyja mediat dhe ka intervistuar Nënpresidentin Mike Pence në lidhje me pandeminë për emisionin e saj “Full Court Press” në Gray TV, që u transmetua më 5 prill.
Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett tha se agjensia është e tronditur dhe e trazuar nga dokumentet e brendshme të CDC-së.
“Zëri i Amerikës, një organizatë e pavarur e lajmeve e financuar nga fonde federale, kundërshton me forcë akuzat dhe i bën thirrje CDC që menjëherë të tërheqë udhëzimet”, tha zonja Bennett në një deklaratë të 14 qershorit.
“Që zyra e marrëdhënieve me publikun e një agjencie federale të mohojë kategorikisht dhe paraprakisht kërkesat e intervistimit nga gazetarët e Zërit të Amerikës, përfshirë kolegen tonë Greta Van Susteren, bazuar në një deklaratë opinioni të Shtëpisë së Bardhë që i referohej si ‘propagandë’ një artikulli të Associated Press për COVID-19 të shpërndarë nga redaksia e Zërit të Amerikës, është edhe më shqetësuese”, thuhet në deklaratë.
Më 10 prill, Zëri i Amerikës qarkulloi një deklaratë publike ndaj pretendimeve për propagandë.
E-maili i CDC-së ishte një nga katër dokumentet e lëshuara si përgjigje ndaj një kërkese për informim bazuar në ligjin FOIA nga Instituti Knight, një grup i pavarur i përqëndruar në zgjerimin e lirisë së shtypit. Kërkesa ishte paraqitur më 19 mars dhe një padi gjyqësore për të përshpejtuar kërkesën ishte bërë më 2 prill. Instituti publikoi dokumentet më 12 qershor.
Dokumentet mbulojnë politikat e CDC-së për përdorimin e mediave sociale, kërkesat e mediave dhe lëshimin e informacionit në agjensitë e lajmeve. Një dokument i titulluar “Draft-Strategjia e Komunikimit Mediatik e CDC-së për Reagimin ndaj Sëmundjes së Koronavirusit 2019” u ribotua i redaktuar plotësisht.
Instituti Knight tha se procesi gjyqësor erdhi si përgjigje ndaj raporteve që pretendonin se ekspertëve të CDC-së po u ndalohej të flisnin me shtypin ose publikun dhe se u ishte thënë që të koordinoheshin me Zyrën e Nënpresidentit përpara se të flisnin me gazetarë.
“Ne e bëmë padinë gjyqësore sepse ishim të shqetësuar për politizimin e mesazheve të shëndetit publik dhe menduam se ishte kritike për publikun të dijë nëse dhe si administrata po administronte komunikimet me CDC-në, në mënyrë që publiku të ishte në gjendje të gjykonte vetë saktësinë e çdo deklarate”, i tha Zërit të Amerikës Anna Diakun, juriste në Institutin Knight për Amendamentin e Parë.
“Nga dokumentet që kemi marrë deri më tani, roli i Zyrës së Nënpresidentit është redaktuar plotësisht, kështu që është e pamundur për ne të dimë saktësisht se çfarë roli po luan ajo zyrë”, tha ajo.
Instituti Knight do të marrë më shumë dokumente më 18 qershor, për të cilat zonja Diakun tha se instituti shpreson se do të tregohet nëse dhe çfarë roli luante Zyra e Nënpresidentit.
Zyra e Nënpresidentit nuk pranoi kërkesën e Zërit të Amerikës për koment.
“Ajo që mund të jetë e pazakontë është se është e ekspozuar, nuk e di nëse është e pazakontë”, tha zonja Van Susteren për listën e zezë të aluduar.
“Asnjë administratë, qoftë ajo e Obamës, Bush 41 (George H.W. Bush), apo Klinton apo çdo administratë në të kaluarën nuk i ka pëlqyer mediat”, tha ajo. “Por unë kam qenë në të gjitha këto organizata të lajmeve dhe kurrë më parë nuk më ka ndodhur kjo”.
Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Bennett, tha se ishte e vështirë të përcaktohej efekti që ndalimi i CDC mund të ketë pasur në mbulimin e pandemisë së kësaj agjensie të transmetimeve ndërkombëtare.
“Përpjekje të tilla si ato të përshkruara në memorandumin e CDC-së, mund të rezultojnë në një lloj efekti drithërues në gazetarinë tonë, diçka që ne rregullisht e shohim në tregjet që transmetojmë, ku nuk kanë shtyp të lirë – ndër to edhe Kina dhe Rusia”, tha ajo në një deklaratë.
Zonja Diakun tha se Instituti Knight ishte i shqetësuar të shihte, nga kërkesa në bazë të ligjit FOIA, që stafit të CDC-së i ishte thënë të injorojnë pyetjet e ardhura nga Zëri i Amerikës. “Është e domosdoshme që CDC-ja të sigurojë qasje të qëndrueshme dhe në kohë të informacionit, veçanërisht në mesin e një krize të shëndetit publik”, i tha ajo Zërit të Amerikës.