Në 30 vitet e ardhshme popullsia e Shqipërisë parashikohet të arrijë në 2 milionë. Është ky projeksioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ecurinë e popullsisë në botë, duke e renditur Shqipërinë ndër 6 vendet më të rrezikuara për t’u tkurrur deri në vitin 2054.
Por çfarë ka ndodhur me popullsinë e Shqipërisë në vite?
Popullsia ka arritur aktualisht në 2.4 milionë banorë, duke pësuar një rënie prej rreth 420 mijë banorë ose me 13.8% kundrejt censit 2011. Një tendencë që ka vijuar gjatë dekadave të fundit, nëse shohim censin e vitit 1989. Qartazi duket se Shqipëria ka hyrë në një fazë rënie pa kthim të popullsisë.
Por paralelisht me largimet jashtë vendit, në vite kanë ndodhur edhe lëvizjet masive të popullsisë drejt zonave te tjera, qe ndryshe njihet si migrimi i brendshëm.
Për shkak te zhvendosjes brenda territorit përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare, ose rreth 32% banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10%, ndjekur nga Elbasani dhe Durrësi. Ndërsa qarqet më pak të populluar janë Gjirokastra dhe Kukësi, me më pak se 3%.
Por cilat janë arsyet e pakësimit të popullsisë shqiptare?
Tre janë faktorët kryesorë: emigrimi i vazhdueshëm dhe i pandalshëm; reduktimi i ndjeshëm i numrit të lindjeve dhe plakja e popullsisë. Një situatë që ka efekte në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare, të cilat kanë nisur të ndihen tek ne.
Ajo që ndodh janë problemet me gjetjen e burimeve njerëzore në tregun e punës, mungesa këto që çojnë në uljen e produktivitetit të ekonomisë; në një ulje të të ardhurave në tërësi në ekonomi. Ndërkohë që shtrimi i të moshuarve kërkon më shumë shpenzime nga buxheti i shtetit për skemën e pensioneve. (Aurora Sulçe)