Giorgio Chiellini është gati t’i thotë lamtumirë kombëtares italiane, pikërisht në ndeshjen me Argjentinën, në 1 qershor të këtij viti.
Chiellini u bë kapiten Italisë në vitin 2018, kur Buffon i dorëzoi shiritin, ndërsa në karrierën e tij regjistron 116 aktivizime me fanellën e kaltër. Verën e kaluar, ai u shpall kampion europe me Italinë.
Në një intervistë për mediat italiane, 38-vjeçari pranoi se ka ardhur koha që t’i lihet hapësira dhe talenteve të reja në skuadër, të cilët premtojnë për të ardhmen: “Nëse jam mirë, do të luaj dhe atë sfidë. Nëse jo, do t’i them lamtumirë kombëtares në Wembley, aty ku arrita kulmin e karrierës sime. Mendoj se është koha për t’i lënë vend dhe djemve të rinj në skuadër”.
Mbrojtësi i Juventusit la dyshime për të ardhmen e tij si futbollist edhe tek “Zonja e vjetër”: “Sa i përket karrierës sime në futboll, në fund të sezonit do të bëj vlerësimet e duhura me drejtuesit e Juves dhe do të vendosim. Nëse fiziku do të më lejojë, atëherë mund të vazhdoj akoma, megjithatë është një vendim që do të vijë së shpejti”.
Pas dështimit për kualifikimin në “Katar 2022”, Chiellini kërkon ta mbyllë me dinjitet aventurën e tij në kombëtaren “axurre”. Italia do të përballet me Argjentinën, më 1 qershor, në edicionin e parë të finales së madhe, një kupë e krijuar nga UEFA që vendos përballë fituesit e Kampionatit Evropian ndaj kampionëve të Amerikës së Jugut.