Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë marrë informacion në javët e fundit në lidhje me një komplot iranian për të vrarë ish-presidentin Donald Trump, raportoi sot CNN, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.
Në raportin e CNN, theksohet se nuk ka asnjë tregues se autori 20-vjeçar i sulmit në fjalimin e fushatës së Trump në Pensilvani, ishte i lidhur me planin e përmendur të konspiracionit.
Informacioni për një “komplot iranian” kishte bërë që Shërbimi Sekret të rriste nivelin e sigurisë për ish-presidentin javët e fundit, thanë për CNN burime të shumta të njohura me këtë çështje. Incidenti ngre pyetje të reja në lidhje me boshllëqet e sigurisë në mitingun e së shtunës në Butler, Pensilvani dhe sesi një 20-vjeçar mundi të hynte në një çati aty pranë dhe të plagoste ish-presidentin.
Zyrtarët e fushatës së Trump nuk thanë nëse ai ishte informuar.
“Ne nuk komentojmë detajet e sigurisë së Presidentit Trump. Të gjitha pyetjet duhet t’i drejtohen Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara”, thanë ata në një deklaratë.
Valë kërcënimesh nga media shtetërore iraniane
Sipas CNN, Irani është “zotuar” vazhdimisht për hakmarrje për nga ushtria amerikane të Qasem Soleimani, komandant i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Në gusht 2022, Departamenti i Drejtësisë paditi një anëtar të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike për përpjekje për të orkestruar vrasjen e John Bolton, i cili kishte shërbyer si këshilltar i Trumpit për sigurinë kombëtare. Prokurorët amerikanë thanë se komploti kundër Boltonit ishte “hakmarrje e mundshme” për vrasjen e Soleimanit.