Departamenti Amerikan i Shtetit reagon pas deklaratave të Berishës ndaj ambasadores Kim

albnews
By
1 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Departamenti i Shtetit hodhi sot poshtë akuzat e bëra në Shqipëri nga ish kryeministri Sali Berisha ndaj ambasadores Yuri Kim, teksa u tha se deklaratat ndaj ambasadores janë shqetësuese.

Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës lidhur me akuzat e bëra nga ish kryeministri Sali Berisha ndaj Ambasadores Yuri Kim se ajo po sillet si guvernatore në Shqipëri dhe se mbështet kryeministrin Edi Rama, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, thekson zëdhënësi Price, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.

Shtetet e Bashkuara, thekson më tej zëdhënësi, vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet tona, përfundon zëdhënësi, i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë./voa/

Share This Article