Deputetët britanikë kanë aprovuar marrëveshjen tregtare të post-Brexitit, të arritur midis kryeministrit Boris Johnson dhe Bashkimit Evropian. Të dyja palët tashmë po fillojnë hapjen e një kapitulli të ri të marrëdhënieve, vetëm disa ditë para jetësimit të shkurorëzimit të tyre.
Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja kanë arritur ujdi të mërkurën e shkuar. Parlamenti britanik do ta finalizojë zbatimin e marrëveshjes, duke iu dhënë kështu fund negociatave prej katër vjetësh për të ardhmen e bashkëpunimit tregtar, që kap vlerën vjetore prej një miliardë dollarësh amerikanë. Të dyja palët kanë vlerësuar se marrëveshja është mundësi për të vazhduar bashkëpunimin, të nisur në kuadër të rindërtimit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Britania është treguar hezituese për të ngritur në shkallën më të lartë integrimin ekonomik dhe politik me pjesën tjetër të Evropës. Johnsoni ka deklaruar gjatë fjalimit në parlament se do ta vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët evropianë, duke vlerësuar se rikthimi i sovranitetit të Britanisë do të përmirësojë gjendjen e ekonomisë vendore. Dhoma e Ulët e Parlamentit ia ka dhënë aprovimin ujdisë me 521 vota për dhe 73 kundër.