Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar të shtunën ish-eurodeputetes, Doris Pack, “Urdhrin e lirisë”, të cilin ia kishte ndarë ish-presidenti Ibrahim Rugova më 2004, për kontributin e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Roli juaj ka qenë shumë i rëndësishëm në gjithë rrugëtimin tonë. Duke filluar nga fundi i viteve ’80 e këtej ju keni qenë promovuese e madhe e së drejtës sonë për liri. Pas çlirimit të vendit, ju i keni shërbyer njohjes dhe promovimit të shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Osmani, njofton Zyra e Presidentes.
Siç bëhet e ditur në komunikatë, Osmani e Packu kanë diskutuar për procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe hapat që po ndërmerr Kosova për ta përshpejtuar integrimin euroatlantik.
Ndërkaq, Packu u shpreh se i kupton mirë sfidat e Kosovës.
“Për ta njohur mirë Kosovën, secili duhet ta kuptojë të kaluarën e saj”, është shprehur ajo.
Pack gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Me të ka biseduar për takimin e 15 qershorit në Bruksel me Serbinë në kuadër të dialogut.