Shkruan: Dr. Hysni Aliu
-Në kohën kur e tërë bota po ballafaqohet me krizë energjetike, Kosova nuk mundë të jetë përjashtim. Krizën energjetike në Kosovë e shpejtoi ramja nga sistemi e gjysmës së kapaciteteve të prodhimit të energjisë. Kjo krize energjetike në Kosovë, i ka gëzuar armiqtë e shtetit tonë, sepse aty po e shohin mundësinë për të gërryer themelet e shtetit dhe shoqërisë Kosovare në tërësi. Unë me dhimbje dhe neveri jam duke i përcjell reagimet për mungesën e rrymës, nga politikanët e së kaluarës, që tani janë në opozitë, që për dy dekada, ja vërtetuan popullit të tyre, që vuajnë nga një patologji e rëndë, që nuk ua ka atakuar vetëm mendjen por edhe tri shkallët e vetëdijes.
Këta mashtrues patologjik, që duke vjedhur popullin për dy dekada u bënë milioner e ndoshta edhe miliarder, tani nuk zgjedhim mjete për të mbijetuar, në një situatë kur retë e zeza po ju sillen mbi kokë. Bash këta njerëz që sot janë në opozitë, ja ndalen Kosovës mundësinë e zhvillimit, duke vjedhur milionat, duke formuar qeveri të gjysmës së natës, të varura nga Vuçiqi, e Pacolli, që kurrë nuk mundën të bëjnë diçka madhështore, me të cilën do krenohej kombi.
Bash këta njerëz që për dy dekada ishin në pushtet, në vend që të ngrisin kapacitetet furnizuese me energji, bënin kontrata për ndërtime të termocentraleve, ose me firma fantome, ose me marrëveshje që do ja thyenin kurrizin këtij populli për katër dekada duke blerë rrymën me çmime që askund në Evropë nuk i gjeje. Këta bënin kontrata me firma të ndryshme, të cilat e dinin që paraprakisht ishin të dënuara për të dështuar, krejt me qëllimin që ato firma të fitonin qindra miliona në arbitrazh, ashtu siç bën me Devollët e me raste tjera. Pra, bënin kontrata, që nëse do kalonin testet këta do bëheshin edhe më të pasur, ndërsa edhe nëse dështonin, sërish bëheshin të pasur, sepse parat që shteti i Kosovës i paguante si dënime nga arbitrazhi, këta është shumë e besueshme që i ndanin bashkë me ankuesin.
Edhe projekti i fundit i gazit, siç po duket ishte një projekt i Grenellit me ish pushtetarët dhe Vuçiqit, nga i cili projekt Ramushi me shokë ka llogarit që do të ketë fitime të mëdha, së këndejmi po ju dhemb shumë opozitës. Unë e dëgjova me vëmendje prezantimin e z Albin Kurtit që e bëri para elektoratit të vetë, dhe doli në pah se kjo qeveri Kurti 2, ka bërë historinë për Kosovën dhe kombin për këta 9 muaj.
Kjo qeveri është duke ja shkëputu degët e krimit një nga një, duke e lënë trungun e tij si më të fundit, trung i cili do të thahet vetvetiu, pasi që degët dhe rrënjët po i shkatërrohen. Protesta që u organizua në Prishtinë për mungesën e rrymës, nga disa njerëz qëllimkëqij, tregoj se sa pak janë ata që ju besojnë këtyre mashtruesve patologjik. Unë po ju them direkt atë çka e ndjej në shpirtin tim: Një njeri që e kundërshton qeverinë Kurti për punën që e ka bërë deri më tani, dhe e akuzon për punë të keqe ose për mungesën e rrymës, ai njeri është me vetëdije apo pa vetëdije armiku më i madh i Kosovës, armiku i shtetit të Kosovës, armiku i popullit të Kosovës, gjeneratave që janë dhe atyre që do të vinë pas nesh.
Vetëm Vuçiq, Rusia me Dodikun, ju gëzohen krizave të tilla në Kosovë. Këta opozitarët, po tregojnë që interesat e tyre më shumë korrespondojnë me Serbinë sesa me Kombin shqiptar. Sjellja e tyre, duhet të jetë kambanë alarmi për të gjithë ne, që sa më mirë, sa më shumë dhe sa më herët, ta kuptojmë që ajo që e bëmë me zgjedhjet e kaluara parlamentare ka qenë e shenjtë, dhe duhet të shfrytëzojmë të gjitha energjitë që i kemi për ta mbrojtur, së pari nga këta që nga brenda Kosovës i shërbejnë politikës së Serbisë, me vetëdije apo pa të, dhe pastaj ta mbrojmë nga Serbia e Rusia.
Edhe shumica e medieve në Kosove, po e vërtetojnë katërçipërisht që kanë qenë, janë dhe do të jenë në shërbim të krimit dhe korrupsionit, dhe që llogaritë ja japin Serbisë në fund të fundit. Unë bëj thirrje që të përkrahen mediet që janë pro zhvillimit të Kosovës, pro një qeverie që po punon për popullin, duke mos harruar asnjëherë që të jenë kritik edhe ndaj tyre nëse vërejnë devijime në qeverisje. Besoj që diaspora duhet të ketë një media që financohet nga ta, dhe e cila media do të përcillte një lajm të paanshëm, origjinal, pa bërë politik e pa qene e manipulueshme.
Tani më kemi një televizion të diasporës në Britaninë e Madhe,” ALBUK “televizion që po promovon vlerat e diasporës, andaj ne duhet ta përkrahim atë në mënyrë që themelet e tij të zgjerohen dhe veprimtaria e tij të shtrihet në të gjitha treva shqiptare. Pra ftoj që ne si komb të kemi një BBC apo Zëri i Amerikës tonën, pra një Zë i Shqiptarëve kudo që jetojnë, por që do të jetë me vlera amerikane dhe evropiane e jo Ballkanike. Vetëm një media, që nuk është e mvarun nga paraja e krimit dhe që atdheun e ka në rend të parë, do të jetë një informator i drejtë dhe kontribuues në shtet ndërtimin e Kosovës dhe zhvillimin e kombit.