Mikrobiologu, Lul Raka, është shpallur “Evropiani i Vitit” për vitin 2020. Çmimi iu nda nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në Ditën e Evropës.
Me të marrë këtë çmim, Raka ka thënë se e ndan me të gjithë qytetarët e Kosovës për arsye se kanë ndjekur rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë në luftën ndaj koronavirusit.
“Fjalët e mia gjatë pandemisë ishin shumë të pakta në krahasim me kontributin e mrekullueshëm të të nominuarve tjerë. Do të doja të ndaja këtë çmim me të gjithë ju, dhe jo vetëm. Dua ta ndaj këtë çmim shërbyes e çdo qytetar të këtij vendi që ka ndjekur rekomandimet tona në përpjekjet për të parandaluar koronavirusin”, ka thënë Raka.
Të nominuarit tjerë ishin 32 vullnetarët që ndihmuan në karantinë, aktivisti dhe gazetari Darko Dimitrijeviq dhe Klinika Infektive në Prishtinë.
Çmimi tashmë është bërë tradicional. Në të kaluarën këtë çmim e kanë marrë Majlinda Kelmendi, Erzen Shkololli, Jeton Neziraj e Kivo Company.