Albania
“Drejtorët e Veliajt vijojnë të vjedhin”, Këlliçi: SPAK të mos bëhet pjesë e luftës së klaneve të pushtetin brenda PS-së
Ai i bëri thirrje SPAK për t’u pozicionuar aty ku i takon, krah interesit publik dhe në luftën pa kompromis me korrupsionin dhe të mos bëhen pjesë e luftës së klaneve të pushtetit brenda Partisë Socialiste.
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi ka në një deklaratë sot për mediat tha se shqiptarët duan drejtësi në lidhje me abuzimet që po bëhen me tenderat.
Këlliçi tha se drejtorët e Bashkisë Tiranë, të udhëhequr sipas tij nga Erion Veliaj, kanë vijuar të marrin milionat e takspaguesve kryeqytetas, madje janë shpërblyer nga kryebashkiaku dhe me leje të reja ndërtimi.
Ai i bëri thirrje SPAK për t’u pozicionuar aty ku i takon, krah interesit publik dhe në luftën pa kompromis me korrupsionin dhe të mos bëhen pjesë e luftës së klaneve të pushtetit brenda Partisë Socialiste.
DEKLARATA E PLOTË:
Të nderuar qytetarë!
Sot bëhen plot 326 ditë nga momenti që kam depozituar në SPAK kallëzimin për 5 drejtorët e famshëm të Bashkisë Tiranë, të cilët përmes kompanisë 5D Konstruksion, me në krye famozin Mariglen Qato, kanë vjedhur në mënyrë flagrante miliona euro, përmes të paktën 45 tenderave të zhvilluar në bashki.
Edhe pse të kallëzuar në SPAK për korrupsion, drejtorët e Bashkisë Tiranë, të udhëhequr nga pronari faktit i Inceneratorit të Tiranës Erion Veliaj, kanë vijuar të majmen me milionat e takspaguesve kryeqytetas, madje janë shpërblyer nga ky i fundit dhe me leje të reja ndërtimi, si mirënjohje për faktin se kanë pranuar të sfidojnë SPAK-un dhe t’i bëjnë karshillëk të ashtuquajturave organe të reja të drejtësisë.
Sipas të gjitha informacioneve publike, edhe pse janë bastisur një sërë zyrash dhe apartamentesh të këtyre individëve, edhe pse janë sekuestruar telefonat celularë ku janë gjetur aplikacione komunikimi të dizenjuara posaçërisht për Bashkinë Tiranë dhe komunikimin e këtyre individëve me njëri tjetrin, SPAK sërish refuzon të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj këtij grupi të strukturuar kriminal, me në krye pronarin faktit të Inceneratorit të Tiranës, Erion Veliajn.
Grupi i Ekspertëve pranë PD, garanton qytetarët se ne jemi të vendosur dhe më të motivuar se kurrë më parë, për të goditur zyrtarët e korruptuar në çdo nivel të administratës, lokale apo qëndrore. Arrestimet me autorizim apo regji të pushtetit, të Taulant Tushës dhe Evis Berberit, nuk mund t’i vënë kapak aferave korruptive qindra milionë euroshe të Qeverisë apo Bashkisë Tiranë.
Sot, Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka paguar 130 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston dhe ndërton rrugët me 30 milionë euro kilometrin. Për këto skandale korruptive të përmasave globale, Edi Rama është mjaftuar duke thënë se disa zyrtarë të tij, na paskan ngrënë mollë dhe dardha pas shpinës së kryeministrit.
Kjo papërgjegjshmëri ekstreme, kjo tallje me qytetarët dhe sistemin e drejtësisë duhet të marë fund një orë e më parë. Ndaj gjej sot sërish rastin t’i drejtoj një thirrje SPAK, për t’u pozicionuar aty ku i takon, krah interesit publik dhe në luftë pa kompromis me korrupsionin galopant të kësaj qeverie. Mos u bëni pjesë e luftës së klaneve të pushtetit dhe korrupsionit brenda Partisë Socialiste.
Shqiptarët nuk janë të interesuar se cili është klani më i fortë brënda mazhorancës dhe se kush kërkon të burgosë kë, brenda Partisë Socialiste. Shqiptarët duan drejtësi pa regji.
Rritja e rrogave dhe pensioneve, hapja e vendeve të reja të punës, rritja e investimeve të huaja në vend dhe integrimi ynë në Bashkimin Europian, do të ndodhë vetëm kur të kemi një drejtësi të vërtetë, të paanshme, një drejtësi e cila nuk burgos Kryetarin e Opozitës pa asnjë provë apo akuzë, por godet dhe dënon zyrtarët e korruptuar të cilët kanë detyruar mbi 1 milionë shqiptarë të marin rrugët e emigrimit në këto 10 vite.
Ndaj qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, janë e vetmja zgjidhje për vendin.
O sot, o kurrë.
Ju faleminderit.
Albania
Merr fund epoka e qirave të lira, arsyet e shtrenjtimit
SHARE
Qiratë ishin grupi me rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, me 6.7 për qind duke forcuar më tej tendencën që nisi nga vera e këtij viti. Ato ishin përbërësi kryesor i inflacionit në nëntor, duke zhvendosur ushqimet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë për një trend rritës të fortë gjatë vjeshtës 2025 që po vazhdon. Ekspertët e lidhin ecurinë ë e shtrenjtimit të qirave me një seri faktorësh që lidhen me kërkesën dhe ofertën.
Kryesorja lidhet me faktin se rritja e çmimeve të banesave ka bërë të papërballueshëm blerjen e një apartamenti të ri për shumicën e të punësuarve. Kur blerja e një shtëpie bëhet më e shtrenjtë, njerëzit detyrohen të qëndrojnë më gjatë me qira ose të kërkojnë shtëpi me qira në vend që të blejnë. Kjo rrit numrin e qiraxhinjve dhe për pasojë çmimet ngrihen. Edhe pronarët që kanë kredi të shtrenjta shpesh rrisin qiranë për të mbuluar pagesat e tyre mujore.
Gjithashtu kërkesa për qira po përballet me një presion në rritje për vizitorët e huaj. Shqipëria është atraktive për turistët edhe për shkak se çmimet e qirave ditore janë të lira, me vetëm 50 euro nata në zonën e qendrës. Dhënia me qira ditore e shumë apartamenteve për turistët ka çuar në rritjen e çmimeve për qiratë afatgjata jashtë trendëve normale.
Ekspertët e tregut pohojnë se një pjesë e apartamenteve të shituara janë bosh dhe përdoren vetëm pak ditë në vit nga emigrantët dhe huajt, duke bërë që të mos hidhen në tregun e qirave.
Familjet me buxhete të kufizuara po e shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta, ndërsa agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike janë të pakta apartamentet me çmime të lira.
Agjentët e tregut të qirasë nënvizojnë se shumë pak prona listohen me çmime 300–350 euro, kryesisht në periferitë “Astir” ose “Fresku”, të cilat merren menjëherë nga qiramarrësit.
Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të patundshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht 6 deri në 57% në vetëm një vit.
Në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”. Për banesa 2+1, çmimi mesatar arriti në 1,800 euro në muaj. Krahasuar me vjet çmimet u rritën me 13%.
Në zonën e ish-Bllokut, çmimi për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 650 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet e qirasë janë rritur me 16%. Për apartamentet 2+1, çmimi i qirasë ka arritur 900 euro apo 6% më shumë se 2024.
Në Rrugën e Elbasanit, çmimi i qirave për apartamentet 1+1 është 700 euro në muaj në 2025 apo rreth 8% më shumë se vjet. Rritje të ndjeshme në këtë zonë kanë shënuar qiratë për prona 2+1.
Qiratë për apartamentet 1+1 në zonën e Komunës së Parisit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele si gjatë vitit 2024, mesatarisht rreth 650 euro në muaj. Për apartamentet 2+1, çmimet e qirave arritën 800 euro në muaj apo 14% më shumë se në vitin 2024.
Ndryshime çmimesh janë shënuar edhe për qiratë në zonën e Liqenit Artificial. Çmimet e qirave për apartamente 1+1 arritën në 900 euro në muaj. Krahasuar me vjet, çmimet u rritën 13%. Për apartamentet 2+1, çmimet arritën në 1,400 euro në muaj, nga 1,200 euro në muaj që ishin vjet. Krahasuar me vjet, çmimet janë shtrenjtuar 17%.
Në kontrast, turistët që marrin me qira për periudha afatshkurtra, mund të gjejnë shtëpi me qira në kryeqytet përmes platformave online edhe në 40-60 euro/ditë, shumë më lirë sesa në kryeqytete të njohura europiane, ku mesatarisht në ditë duhet të paguajnë më shumë se 100 euro.
Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, bënë të ditur se në fund të 2024-s, në gjithë vendin kishte rreth 21 mijë njësi të listuara, nga të cilat rreth 3 mijë në Tiranë.
Inflacioni i përgjithshëm ka luajtur gjithashtu rol. Kostoja e materialeve të ndërtimit, taksat, shërbimet dhe mirëmbajtja e banesave është rritur, dhe pronarët e transferojnë këtë rritje tek qiramarrësit. Në disa qytete, situata rëndohet edhe nga përdorimi i shumë apartamenteve për qira afatshkurtër turistike, të cilat janë më fitimprurëse.
Edhe në vijim çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen për shkak të kërkesës së lartë, dhe mungesës së ofertës të përballueshme.
Nëse qeveria dhe bashkitë nuk ndërhyjnë duke promovuar ndërtim banesash me çmime të përballueshme dhe të aplikohen politika për banesa sociale barra për qiramarrësit nuk do të lehtësohet, përndryshe rritja do të jetë edhe me agresive lajmërojnë aktorët e tregut.
Monitor
Albania
Programi, “take-away” pa mbetje, bar-restorantet drejt enëve të ripërdorshme
Programi Kombëtar i Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve parashikon një paketë masash që synojnë uljen e mbetjeve në disa sektorë kyç të ekonomisë, nga ushqimi te ndërtimi, me afate të ndryshme zbatimi.
Mes tyre, sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kateringut (HoReCa) shihet si një nga fushat me potencial të lartë për të reduktuar ndjeshëm mbetjet që gjenerohen çdo ditë.
Fokusi vihet te ushqimet dhe pijet “take-away” (me vete), ku përmes dy masave të veçanta parashikohet futja e enëve të ripërdorshme si alternativë ndaj ambalazheve njëpërdorimshe.
Masa e parë, ajo me numër 38, e titulluar “Vendosja e detyrimit për rimbushje për sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, vendos rregulla të detyrueshme për operatorët e HoReCa-s. Sipas saj, shitësit me pakicë që ofrojnë pije të nxehta apo të ftohta dhe/ose ushqime të gatshme për t’u marrë me vete, do të duhet të krijojnë sisteme që u lejojnë klientëve të sjellin enët e tyre për rimbushje.
Në këto raste, produktet duhet të shiten me të njëjtin çmim dhe në kushte po aq të favorshme sa ato të ofruara në ambalazhe njëpërdorimshe. Po ashtu, operatorët do të jenë të detyruar të informojnë qartë konsumatorët në pikat e shitjes, përmes njoftimeve të dukshme dhe lehtësisht të lexueshme, mbi këtë mundësi.
Ndërkohë, masa e dytë, ajo nr. 39, e parashikon këtë praktikë si opsionale. E titulluar “Vendosja e opsionit për ofrimin e ripërdorimit në sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, ajo u kërkon operatorëve të HoReCa-s t’u ofrojnë klientëve mundësinë e zgjedhjes së produkteve të ambalazhuara në enë të ripërdorshme, përmes një sistemi të dedikuar ripërdorimi.
Edhe në këtë rast, shitësit do të duhet të afishojnë njoftime të qarta për të informuar konsumatorët mbi disponueshmërinë e këtij opsioni. Për më tepër, programi përcakton që të paktën 10% e produkteve të shiten në formate ambalazhi të ripërdorshme, ndërsa çmimi dhe kushtet e shitjes të jenë të njëjta me ato të ambalazheve njëpërdorimshe.
Plani i qeverisë parashikon që aktet nënligjore që do të detajojnë këto masa të miratohen gradualisht përgjatë disa viteve, ndërsa dy masat që lidhen me enët e ripërdorshme për ushqimet dhe pijet “take-away” pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027.
Monitor
Albania
Veshjet e Gabit dalin nga moda, bien importet
Nga një treg që në vitet 2015-2016 gjeneronte importe me vlerë deri në 20 milionë euro, në pesë vitet e fundit, importet e veshjeve të përdorura nuk arrijnë më shumë se 10 milionë euro. Të dhënat zyrtare të Doganave tregojnë tkurrje të këtij tregu ndër vite, pavarësisht se në terren vërehet shtim i dyqaneve të vogla për veshje të përdorura. Në periudhën janar-gusht 2025, sasia e importit të veshjeve të përdorura arriti rreth 4,630 tonë, duke shënuar rënie me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Në terma vlerash, importet për janar-gusht 2025 ishin 4.9 milionë euro, ose 5% më pak se në janar-gusht 2024.
Në vitin 2020, importet e veshjeve të përdorura ranë në vlerën më të ulët për periudhën 2020-2024, në 8.6 milionë euro, si pasojë e kufizimeve të pandemisë Covid-19. Pas këtij viti, importet u rritën dhe në 2021 arritën në 10.5 milionë euro, ose 22% më shumë se në 2020. Megjithatë, tendenca në vitet pasuese ishte në rënie, dhe në 2024 vlera e importeve u ul sërish në 8.6 milionë euro, apo 7% më pak krahasuar me 2023.
Në Tiranë, janë të shumta dyqanet që tregtojnë veshje të përdorura, të njohura ndryshe si “veshjet e Gabit”. Ky treg ka pësuar transformim vitet e fundit duke kaluar nga tregtimi në tezgë në tregtimin në ambiente dyqanesh ku produktet ekspozohen më mirë.
Shtimi i dyqaneve të vogla është nxitur nga leverdishmëria e biznesit, ku veshjet e kategorisë së parë ose “të dorës së parë” blihen me çmime prej rreth 1,000 lekësh për kilogram, ndërsa ato të kategorisë së dytë, me çmime nga 650 deri në 700 lekë për kilogram. Çdo copë tregtohet në pakicë me çmime mbi 2,000 lekë.
Zamira Rreshka, njohëse e tregtimit të veshjeve të përdorura, e pranishme në treg prej 15 vitesh me dyqan në Tiranë, thotë se një tjetër arsye e rritjes së numrit të dyqaneve është se ky biznes kërkon investim fillestar relativisht të ulët, nga 100 deri në 200 mijë lekë për ngritjen e tezgave dhe furnizimin me mall.
Ajo e lidh me dy faktorë kryesorë tkurrjen e kërkesës për këto veshje: cilësinë e ulët të mallrave në dengjet për tregun e “Gabit”, ku gjithnjë e më pak gjenden veshje firmato, si dhe rritjen e blerjeve online, sidomos nga vajzat e reja.
“Në furnizimet e dengjeve që bëjmë, gjejmë gjithnjë e më pak veshje firmato, të cilat më parë nxitnin njerëzit të blinin veshje të përdorura. Për shembull, në një deng mund të ketë vetëm 1-2 copë veshje markash të shtrenjta. Xhupat po preferohen gjithnjë e më shumë të blihen firmato, ndërsa markat kryesore nuk parapëlqehen për veshjet e përdorura. Në furnizimet tona nuk kemi xhupa firmato, ndaj edhe kërkesa për këtë kategori ka rënë shumë. Në përgjithësi, kërkesa për veshje të përdorura është ulur, pasi vajzat e reja zgjedhin të blejnë online. Kategoria që blen më shumë veshje të përdorura janë gratë e punësuara në profesione si mësuese, infermiere dhe mjeke”, shpjegon Zamira.
Monitor
-
Albania3 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK5 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania5 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania7 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK7 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports5 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
