Delegacioni i BE-së, Ambasada e Holandës dhe Ambasada e Republikës Çeke mbajtën sot në aeroportin Nënë Tereza një takim të përbashkët me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile mbi situatën e zjarreve në Shqipëri.
Përfaqësues të ekipeve të helikopterëve holandezë dhe çekë të pranishëm në aktivitet, ndanë vlerësimet e tyre dhe përvojat nga terreni. Gjatë javës së fundit, ekipet e Shteteve Anëtare të BE-së, me një personel të specializuar prej 50 anëtarësh, janë angazhuar në luftë kundër zjarreve në vend me shumë se 170 orë fluturim dhe 450 hedhje uji nga ajri.
I ngarkuari me detyrën e ambasadorit të Holandës, Nouwen tha se, “jemi të kënaqur që kemi pasur mundësi që t’i vijmë Shqipërisë në ndihmë në këto orë të vështira që të shpëtojmë jetë, por edhe të shpëtojmë parqet kombëtare të Shqipërisë”.
“Në bashkëpunim tejet të ngushtë me autoritetet shqiptare ne kemi filluar punën me anë të dy helikopterëve që kemi sjellë në Shqipëri. Oficerët tanë kanë bashkëpunuar çdo ditë me kolegët e tyre shqiptarë duke bërë të mundur që në Parkun Kombëtar të Llogorasë ta sjellin situatën e zjarreve nën kontroll. Më pas ata vazhduan punën në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Nouwen.
“Helikopterët tanë kanë bërë 43 fluturime dhe 106 orë fluturime. Ata kanë kryer 238 hedhje uji dhe në total uji që është hedhur ka qenë 1.7 milion litra ujë ose 15 vaska të mbushura me ujë. Si fillim këto helikopterë kanë ardhur në Shqipëri vetëm për 2 javë por duke marrë parasysh situatën në vend si edhe kërkesën që është bërë nga autoritetet shqiptare, atëherë dje ne patëm mundësinë që merrnim konfirmimin nga qendra që ata të vazhdojnë punën e tyre këtu në Shqipëri gjatë muajit gusht, deri në datën 28 gusht”, theksoi ai.
Shqipëria është prekur nga zjarret në pjesë të ndryshme të territorit të saj që nga mesi i korrikut, dhe qindra hektarë pyje, kullota dhe mijëra rrënjë ullinj dhe dru frutorë të tjerë janë shkatërruar në një sërë zonash.
Shefi i Sektorit Politik të Delegacionit të BE-së, Alexis Hupin, theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i qëndrojë në krah Shqipërisë në këto kohë të vështira siç ka bërë edhe më parë. “Ndihma e BE-së për Shqipërinë ka qenë vendimtare; në të shkuarën gjatë përmbytjeve, më vonë kur vendi u përball me tërmetin dhe pandeminë, dhe tani për situatën me zjarret,” tha Hupin.
Ndihma nga ajri me helikopterë, të cilët ende po luftojnë flakët, u bë e mundur përmes Mbrojtjes Civile Evropiane dhe Operacioneve të Ndihmës Humanitare (EU ECHO). EU ECHO mundëson asistencë për vendet e prekura dhe popullatat përkatëse sa herë që ndodh një fatkeqësi apo emergjencë humanitare. Në përgjigje të kërkesës së Shqipërisë për ndihmë me zjarret, ky mekanizëm reagoi brenda një kohe të shkurtër.
Që prej datës 6 gusht, ekipet e helikopterëve kanë ndihmuar pa pushim në shuarjen e zjarreve kudo në Shqipëri, nga bregdeti i jugut dhe në malësitë e veriut, duke kontribuuar në shpëtimin e jetëve dhe në mbrojtjen e parqeve kombëtare dhe të natyrës së vendit.
Gjithashtu, që nga data 12 gusht, Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave Copernicus, i cili është ‘syri i BE-së mbi Tokë’, po siguron skanim të shpejtë satelitor përgjatë territorit shqiptar, për të evidentuar zjarret në kohën e duhur.
Bashkimi Evropian e ka mbështetur Shqipërinë përmes mekanizmave të emergjencës për një sërë krizash dhe çastesh të vështira, duke përfshirë tërmetin e 26 Nëntorit 2019, si dhe ka ofruar ndihmë për të adresuar pandeminë e COVID-19.
“Që prej muajit mars ne kemi filluar tashmë një program asistence me Agjencinë për Mbrojtjen Civile, e cila do të vijojë. Është në fakt pikërisht një program prej 5 milionë eurosh për t’i ardhur në ndihmë dhe për të mbështetur Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Në mënyrë që Agjencia të ketë të gjithë kapacitetet e duhura që në të ardhmen në rast se do të ketë diçka të tillë sërish të ketë të gjithë kapacitetet për ta bërë punën ashtu siç duhet”, theksoi Hupin.
Ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri, Jaroslav Ludva në fjalën e tij u shpreh se, “Republika Çeke dhe Shqipëria janë miq dhe miku i vërtetë duhet të ndihmojë kur është koha e duhur. Prandaj në jemi këtu me helikopterin tonë dhe jemi gati t’iu ndihmojmë kur është e nevojshme”.
“Republika Çeke do të ndihmojë dhe bashkëpunojë me Shqipërinë edhe në të ardhmen”, theksoi ai.