Prej javësh në platformat e ndryshme të rrjeteve sociale janë bërë të shpeshta pamjet nga fenomeni i konsumimit të tullumbaceve me oksid azoti nga të rinjtë.
Në videon më poshtë tregohet një grup vajzash, që duket se janë minorene. Njërës prej tyre i shkaktohen probleme shëndetësore fill pas konsumimit të gazit të mbledhur te tullumbacja.
Këto raste kanë bërë që autoritetet të ndërhyjnë, fillimisht duke shtuar kontrollet e më pas duke bllokuar bombolat me oksid azoti, përmes të cilave mbushte më pas këto tullumbace.
Rasti më i fundit u regjistrua të premte, kur një 21-vjeçar u arrestua dhe iu sekuestrua disa bombola, që ai i reklamonte edhe në rrjetet sociale që dispononte.
Ministri i Brendshëm paralajmëroi gjatë javës së kaluar, se për mometin është ndaluar përdorimi nëpër lokale i tullumbaceve me oksid azoti,
dhe se shumë shpejt kjo lënde, e cila në Britaninë e Madhe, po kërkohet të kategorizohet në grupin e drogave si kanabisi, do të ndalohet me ligj.
I njohur dhe si “gazi gazmor”, oksidi i azotit pasi hidhet në tullumbace thithet njëlloj si heliumi që ndryshon zërin.
Në disa vende është dhënë alarmi për pasojat që përdorimi i tij sjell në shëndet. Disa shtete po mendojnë masa konkrete për ta konsideruar të
paligjshëm.
Mjekët ngrenë alarmin, se kjo substancë mund të shkaktojë asfiksi deri dhe në humbje jete.
Oksidi i azotit lë gjurmë në organizëm dhe kjo mund të zbulohet vetëm përmes analizave laboratorike të thelluara.