Plot 10 milionë euro janë arkëtuar nga taksa e luksit, e cila merret nga jahtet dhe megajahtet që vijnë për t’u furnizuar me naftë në Portin e Durrësit.
Burime nga kapitaneria e portit bëjnë të ditur se përgjatë 8-mujorit të vitit 2025, Portin e Durrësit e vizituan mbi 100 megajahte dhe 160 jahte me vela, pa përfshirë mjete lundruese të tjera siç janë, velierat apo kroçerat.
“Shpresojmë që deri në fund të sezonit, pra, shtatori dhe tetori, që janë ‘sezon i ulë’, të kapim të njëjtat shifra,” u shpreh Taulant Allka, kapiten i Portit Durrës.
Megajahtet, që kanë vizituar këto 8 muaj portin më të madh të vendit, kanë sjellë jo pak, por 10 milionë euro në buxhetin e shtetit vetëm nga taksa e luksit.
Facilitetet e krijuara në portin e Durrësit për pritjen e anijeve luksoze kanë përmirësuar ndjeshëm edhe perceptimin e të huajve për portin më të madh në vend.
Këtë vit, konkurrenca më e madhe bëhet nga portet fqinje, siç është porti i Malit të Zi, ku karburanti për mjetet lundruese të luksit ofrohen me çmimin e bursës kundrejt qëndrimit 72 orë në portet malazeze.
“E shohin Durrësin dhe portet e tjera, si Sarandën, të cilat mbajnë peshën kryesore, si konkurrentë për Adriatikun dhe Jonin,” tha ai.
Ndërkohë që kohët e fundit, Mali i Zi e ka hequr fare taksën e luksit për mjetet lundruese të kësaj kategorie.