Një burrë nga Kina është ribashkuar me të birin pas 24 vite kërkimesh. Gjatë kësaj periudhe, prindi i dëshpëruar udhëtoi më shumë se 500.000 kilometra me motoçikletë nëpër pjesë të ndryshme të njërit prej shteteve më të mëdha në botë.
Djali i Guo Gangtangit ishte rrëmbyer në moshën 2-vjeçare nga trafikuesit e qenieve njerëzore para shtëpisë së tij në provincën Shandong, shkruan BBC.
Sipas Ministrisë së Sigurisë Publike, policia arriti që ta zbulojë identitetin e djalit duke e përdorur testin e ADN-së. Vendndodhja e dy personave të dyshuar u zbulua më vonë dhe ata u arrestuan.
Dy të dyshuarit, të cilët po zhvillonin takime romantike në atë kohë, kishin planifikuar që të rrëmbenin një fëmijë me qëllim që ta shisnin atë, raportuan mediet lokale.
Pasi e kishte parë fëmijën duke luajtur i vetëm para shtëpisë, e dyshuara grua, e identifikuar vetëm me mbiemrin Tang, e kishte rrëmbyer vogëlushin dhe e kishte dërguar në një stacion të autobusëve, ku po e priste partneri i saj.
Më pas, çifti kishte udhëtuar me tren për në provincën fqinje, Henan, dhe e kishte shitur fëmijën atje. Mediet lokale raportuan se i biri i Guos ende ishte duke jetuar në atë provincë.
“Tani që fëmija është gjetur, gjithçka mund të jetë me gëzim prej tash e tutje”, tha babai i lumtur.
Pas rrëmbimit të të birit më 1997, raportohet se Guo kishte udhëtuar në më shumë se 20 provinca përreth Kinës me motoçikletë. Gjatë kësaj periudhe, ai kishte thyer eshtra në aksidente trafiku dhe ishte përballur me plaçkitës në autostrada.
Me fotografinë e djalit me vete, thuhet se ai i ka shpenzuar kursimet jetësore për misionin e vet, duke fjetur nën ura e duke kërkuar lëmoshë, kur i ishin shpenzuar paratë.