Edhe pse SHBA po cilësohet si një nga vendet me numrin më të madh të prekurve me coronavirus dhe atyre që kanë humbur jetën nga COVID-19, duket se ky fakt nuk po u bën shumë përshtypje qytetarëve të cilët gjatë vikendit të kaluar ia mësynë plazheve të bukura të Kalifornisë, por edhe shtigjeve malore.
Pavarësisht se qeveria ka bërë thirrje që të zvogëlohet numri i tubimeve publike dhe kontakti i afërt me njëri-tjetrin në luftën kundër përhapjes së coronavirusit, ata megjithatë kishin vendosur për të dalë dhe shijuar rrezet e diellit, transmeton Telegrafi.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka urdhëruar afro 40 milionë banorë të këtij shteti, që nga 20 marsi të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së coronavirusit. Megjithatë, shumë hapësira publike ishin të stërmbushura, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë mbylljen e menjëhershme të parqeve dhe zonave për rekreacion nëpër plazhe.
Video dhe fotografi të publikuara nëpër rrjete sociale, shfaqin turmën e qytetarëve që qëndronin shumë afër njëri-tjetrit nëpër shtigjet e zonave malore dhe në plazhet e bukura të Los Angeles-it. Në anën tjetër, zyrtarët shëndetësor apelojnë që qytetarët të mbajnë distancën prej pesë metrash larg njëri-tjetrit me qëllim që të mos ketë përhapje të virusit vdekjeprurës.
E si kundërpërgjigje, kryetari i Los Angeles, Eric Garchettzi, ka paralajmëruar në Twitter se do të mbyll hapësirat për rekreacion dhe të gjitha parqet. Gjithashtu ka bërë të ditur se do të mbyllen edhe plazhet.
“Këtë fundjavë kemi parë shumë njerëz duke u argëtuar nëpër plazhe, shtigje të parqeve”, ka shkruar Garchettzi duke bërë thirrje që të kenë më shumë kujdes dhe të qëndrojnë të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre. /Telegrafi/