Haredin Fejzulla, një 58-vjeçar shqiptar i dënuar nga autoritetet belge me 29 vite burg, është arrestuar nga Policia Kombëtare në Madrid. Fejzulla u kap gjatë një operacioni të koordinuar, ku në pranga ranë gjithashtu edhe 10 persona të tjerë. Ai akuzohet për drejtimin e një bande kriminale me bazë në Belgjikë dhe për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, një aktivitet i paligjshëm që kishte sjellë një pasuri prej më shumë se 4 milionë euro.
Haredin Fejzulla, i lindur në Shqipëri dhe i cili ka jetuar për shumë kohë në Belgjikë, u dënua me 18 vite burg në total për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike dhe përkatësisë në një organizatë kriminale. Dënimi përbëhet nga 9 vjet dhe 4 vjet nga Gjykata e Shkallës së Parë të Brukselit, si dhe 5 vjet nga Gjykata e Apelit të Brukselit. Një gjyq i vitit 2021 zbuloi se 13 plantacione kanabisi të drejtuara nga Fejzulla kishin gjeneruar rreth katër milionë euro, të cilat besohet se janë riinvestuar nga banda.
Fejzulla kishte qenë në arrati që prej 22 shtatorit 2014, dhe që nga ajo kohë policia belge kishte humbur çdo gjurmë të tij. Për të shmangur kapjen, ai kishte përdorur emra të ndryshëm, përfshirë ‘Spiros’, ‘Robotis Postolis’, dhe ‘Vasileios Samaras’, duke pretenduar se ishte grek.
Familja e tij ishte gjithashtu e përfshirë në aktivitetet kriminale; djali i tij 31-vjeçar u dënua me 3 vite burg si ndihmës logjistik dhe roje i plantacioneve.
Arrestimi i Fejzullës në Madrid është një rezultat i rëndësishëm i një operacioni ndërkombëtar dhe shënon një hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Policia është duke vazhduar hetimet për të zbardhur më tej aktivitetet e bandës dhe lidhjet e mundshme të tjera ndërkombëtare.