Christian Eriksen insiston se vetëm dy ditë pas atakut kardiak që e pësoi në fushë, e ka ditur se sërish do të luante futboll. Ai kolapsoi në ndeshjen e “Euro 2020” ndërmjet Danimarkës e Finlandës, ndërsa tani po fillon një kapitull të ri në karrierë me skuadrën e Brentfordit. Në fakt, mesfushori danez gjatë rrugës për në spital pas rrëzimit në fushë, i tha gruas së tij Sabrina se ndoshta nuk do të luante më kurrë futboll. Por 29-vjeçari që është pajisur me defibrilator shton se mjekët i dhanë shpresë se ai mund t’i rikthehej sportit. Eriksen nuk ishte në gjendje të vazhdonte karrierën e tij me Interin sepse rregullat nuk i lejojnë futbollistët me defibrilator të luajnë në Itali, por ai firmosi me ekipin nga Premier League në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit. Eriksen tashmë i është bashkuar ekipit anglez dhe ka nisur stërvitjet por ende nuk ka një datë se kur do të luajë.
“Rrugës për në spital i thashë Sabrinës që mund t’i lë këpucët këtu pasi ka gjasa të mos luajë më. Por, kjo ndryshoi vetëm dy ditë më vonë. Ishte një moment që e kuptova se mund të luajë sërish”, thotë Eriksen. “E këtë ma konfirmuan edhe mjekët që më dhanë shpresa për t’u kthyer në fushë”.
Eriksen, i cili ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit me Brentfordin, tha se kishte shumë teste për të vlerësuar sesi zemra e tij po reagonte ndaj stërvitjes fizike, dhe rezultatet ishin pozitive.
“Shkoja hap pas hapi deri kur erdhi momenti se mund të luaja pa problem. Mjekët më thanë se nuk ka kufi për mua edhe pse kam defibritalor pasi gjithçka varet nga diagnoza dhe si ndihem unë”, shtoi Eriksen.
Ish-mesfushori i Tottenhami nuk ka luajtur që nga incidenti i vitit të kaluar, por së fundmi ka qenë duke u stërvitur me ekipin e të rinjve te Ajaxi, një tjetër ekip i tij i mëparshëm. Eriksen tha se pushimi i gjatë nga futbolli kishte qenë zhgënjyes dhe pranoi se kishte vështirësi edhe t’i shikonte ndeshjet në televizor.
“Muajt e parë nuk mund të bësh asgjë. Duhet katër muaj pushim përpara se të filloni me programin e rehabilitimit dhe nuk ishte aspak e lehtë”, zbuloi danezi. “Disa muaj më parë fillova të kthehesha. Preka një top në një fushë futbolli, ndjeva erën e barit dhe pastaj filloi të më kthehet edhe emocioni për ndeshjet. Doja të kthehesha në stadium dhe të përfshihesha në ndonjë ekip”.
Mesfushori, i cili stërviti me bashkëlojtarët e tij të rinj për herë të parë të hënën, tha se ndihej “shumë mirë”, por se do të duhej kohë për t’u qenë gati për ndeshje.
“Ndihem shumë mirë, por do të shohim se si do të reagojë trupi pas stërvitjeve tjera. Më duhet vetëm pak kohë që të adaptohem dhe besoj se do të jem plotësisht i gatshëm”, insistoi Eriksen.