Bilanci i tregtisë së jashtme të Bashkimit Europian shënoi një tepricë prej 187,2 miliardë eurosh (227 miliardë dollarë) në 11 muajt e parë të vitit 2020, deklaroi Zyra e statistikave të bllokut Eurostat.
Sipas Eurostat, shifra ishte më e lartë nga 169,4 miliardë euro në periudhën janar-nëntor të vitit 2019.
Eksportet nga BE-ja shënuan rënie me 10,3% në 1,75 trilionë euro ndërsa importet ishin 1,56 trilionë euro, me rënie prej 12,3%, në 11 muaj në bazë vjetore.
Tregtia brenda 27 vendeve anëtare të BE-së shënoi rënie me 8,4% duke arritur në 2,6 trilionë euro nga viti në vit në të njëjtën periudhë.
Kina ishte partneri kryesor tregtar i bllokut, me 182,7 miliardë euro importe nga Unioni dhe 350,1 miliardë euro në eksporte.
”Sipas vëllimit të eksportit, SHBA, Britania e Madhe, Kina, Zvicra dhe Rusia kryesuan listën, në të njëjtën periudhë”, theksoi Eurostat.
Kina ishte burimi kryesor i importeve të BE-së, pasuar nga SHBA, Britania e Madhe, Zvicra dhe Rusia.
Bilancet tregtare nga vendi në vend treguan se BE-ja pësoi deficitin më të madh me Kinën, afër 167,4 miliardë euro dhe suficitin më të lartë me SHBA-në 135,8 miliardë euro gjatë së njëjtës periudhë.
Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, Eurozona pati një suficit tregtar prej 205,4 miliardë eurosh, me 1,94 trilionë euro në eksporte dhe 1,73 trilionë euro në importe.