Federata Serbe e Futbollit ka reaguar pas vendimit për zhvendosjen e ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë nga stadiumi i Beogradit në ‘Duboçica’ të Leskovacit.
Në komunikatën zyrtare, Federata Serbe falenderoi Federatën Shqiptare dhe UEFA-n për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke theksuar se siguria e lojtarëve, tifozëve dhe stafit organizativ ishte arsyeja kryesore për këtë ndryshim. Federata kujtoi incidentet e vitit 2014 si një shembull të rreziqeve që mund të lindin në këtë duel.
Sipas saj, organizimi në Beograd nuk do të mund të garantonte kushtet e nevojshme të sigurisë, ndërsa stadiumi i Leskovacit ofron një atmosferë pozitive. Ky vendim gjithashtu redukton rrezikun e ndëshkimeve nga FIFA dhe UEFA, duke ruajtur reputacionin e futbollit serb.
Federata serbe theksoi se ky ndryshim u mor pas analizave të detajuara të mundësive organizative për të shmangur incidente dhe për të garantuar një ngjarje sportive të sigurt. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 11 tetor, ndërsa takimi i parë në Tiranë përfundoi në barazim 0-0. Dueli është deçiziv për fatet e Grupit K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
Me miratimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, UEFA ka miratuar që ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës e planifikuar për 11 tetor në orën 20:45 të luhet në stadiumin ‘Duboçica’ në Leskovac.
Pas ndeshjes kundër Anglisë në Beograd, vendimi për të ndryshuar vendndodhjen u mor bazuar në analiza të hollësishme të të gjitha aspekteve që lidhen me organizimin e një ngjarjeje sportive me rrezik të lartë siç është dueli i ardhshëm me Shqipërinë.
Arsyeja kryesore është siguria. Jo vetëm e tifozëve, por mbi të gjitha e lojtarëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë të ndeshjes.
Një takim i tillë mbart nivelin më të lartë të rrezikut dhe kërkon kontroll të plotë, në mënyrë që të parandalohen incidente të tilla si ato që kemi pasur tashmë mundësinë të shohim në duelet midis këtyre dy ekipeve. Të gjithë i kujtojmë mirë ngjarjet dhe pasojat nga Beogradi në vitin 2014.
Federata e Futbollit e Serbisë ka qenë nën vëmendje të veçantë nga organet disiplinore të FIFA-s dhe UEFA-s për një kohë të gjatë për shkak të incidenteve në tribuna, gjë që sjell një rrezik real të ndëshkimeve të rënda, madje edhe pezullimeve më të gjata.
Ndryshimi i vendndodhjes dhe organizimit të ndeshjes në Leskovac zvogëlon ndjeshëm rrezikun e ekseseve të mundshme dhe kështu kontribuon në mbrojtjen e reputacionit të futbollit serb dhe interesave të ekipit kombëtar. Një arsye po aq e rëndësishme është atmosfera në stadiumin ‘Duboçica’ dhe fakti që në të gjitha ndeshjet e mëparshme, publiku në Leskovac i dha mbështetje të pakursyer ekipit tonë kombëtar dhe brohoriti nga minuta e parë deri në minutën e fundit.
Federata e Futbollit të Serbisë shpreh mirënjohjen e saj ndaj UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre konstruktiv në marrjen e këtij vendimi.