Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, theksoi rëndësinë historike të këtij projekti për periudhën 2025-2029 për Shqipërinë.
Berisha tha se, ky projekt është një hap i rëndësishëm për transformimin e vendit dhe akuzoi Partinë Socialiste për kopjimin e propozimeve të PD-së, duke i krahasuar ato me Nokia-n që u mund nga Apple-i në fushën e teknologjisë. Berisha theksoi se, ndonëse PS po tenton të imitojë programin e PD-së, kopja mbetet gjithmonë e dështuar dhe nuk mund të krahasohet me origjinalin.
Në fjalën e tij, Kryetari i PD, Sali Berisha, tha se alternativa që po paraqet PD dhe koalicioni i saj për Shqipërinë nuk është një program i zakonshëm, por një projekt transformues dhe të realizueshëm. Berisha theksoi se “Shqipëria Madhështore”, nuk është një ide e shpikur për fushatën, por një projekt që është hartuar gjatë tre viteve të fundit, duke pasur parasysh realitetin e vështirë të Shqipërisë.
Berisha foli për nevojën e një projekti të tillë për të adresuar pasojat e pushtetit të kaluar të Partisë Socialiste, duke përmendur sfida të mëdha si korrupsioni, niveli i lartë i emigracionit, dhe shkatërrimi i sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë.
Lideri opozitar, Sali Berisha i bëri një thirrje të fortë kryeministrit Rama, të mos përdore simbolet dhe emrat e shenjtë, si ai i Zotit, Skënderbeut dhe flamuri kombëtar, për të mbuluar abuzimet dhe vjedhjet që i janë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë 12 viteve të qeverisjes së tij. Berisha tha se Edi Rama dhe ministrat e tij janë përfshirë në skandale korruptive, duke përmendur vjedhjet që lidhen me projekte të mëdha si inceneratorët, Air Albania, dhe rrugët e florinjta.
Berisha e akuzoi Ramën për përdorimin e pasaportës evropiane dhe aspiratës për të hyrë në Bashkimin Evropian si një mënyrë për të mbuluar vjedhjet dhe abuzimet. Ai theksoi se Shqipëria është në një krizë të thellë, me një ekonomi të dështuar dhe papunësi, dhe tha se pas 12 vitesh qeverisje nga Rama, edhe katër vite të tjera do të forcojnë vetëm pushtetin e tij dhe do të çojnë në një rritje të eksodit të shqiptarëve.
Fjala e plotë e Berishës në Kuvendin e PD: Programi ynë
Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi një pjesë të rëndësishme të programit për Shqipërinë Madhështore, duke theksuar mbështetje të fuqishme për familjen dhe rininë shqiptare. Berisha theksoi se familja është themeli i kombit shqiptar, dhe që ky sektor ka vuajtur një “agresion” të pashembullt, kryesisht për shkak të politikave të majta që, sipas tij, kanë tentuar të shpërbëjnë vlerat tradicionale familjare. Berisha premtoi krijimin e një Ministrie të Familjes, që do të mbështesë familjet shqiptare me bonuse për fëmijët dhe mbështetje të tjera financiare dhe sociale, duke përfshirë një minimum jetik për çdo fëmijë deri në moshën 23 vjeçare.
Kryetari i PD, gjithashtu, i drejtoi një mesazh të fuqishëm grave dhe vajzave shqiptare, duke u garantuar mbështetje të veçantë për bizneset e drejtuara nga to dhe përpjekje për të “rrëzuar murin e patriarkisë” dhe për të luftuar dhunën dhe diskriminimin ndaj grave. Berisha ndër të tjera, akuzoi Ramën për sjelljen dhe politikat e tij të cilat kanë dëmtuar shoqërinë shqiptare dhe kanë përkeqësuar situatën e grave dhe vajzave.
Në lidhje me rininë, Berisha tha se Shqipëria ka humbur shumë nga rinia e saj, me 600 mijë të rinj që kanë braktisur vendin gjatë 12 viteve të fundit. Ai premtoi mbështetje të veçantë për shkollimin, punësimin dhe bizneset e rinisë shqiptare, si dhe mundësi për t’i rikthyer ata në Shqipëri për të kontribuar në të ardhmen e vendit.
Fjala e plotë e Berishës në Kuvendin e PD: Programi ynë
Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi një program për përmirësimin e Shqipërisë, duke u fokusuar në shëndetësinë, arsimin dhe luftën kundër varfërisë dhe korrupsionit. Ai premtoi dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë, rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, si dhe investime në pajisje moderne për ofrimin e kujdesit shëndetësor të nivelit europian.
Po ashtu, Berisha theksoi rëndësinë e arsimit dhe premtoi dyfishimin e buxhetit për arsimin, rritjen e pagave për mësuesit dhe integrimin e teknologjisë në shkolla për të rritur konkurrueshmërinë e nxënësve shqiptarë. Një nga prioritetet kryesore është lufta kundër varfërisë, me mbështetje financiare për pensionistët, studentët, të papunët dhe ata që përfitonin ndihmë ekonomike, duke synuar eliminimin e varfërisë ekstreme në 100 ditët e para të qeverisjes. Kryetari i PD, gjithashtu, shpalli zero tolerancë ndaj korrupsionit, duke premtuar pastrimin e administratës shtetërore nga krimi dhe korrupsioni, dhe transparencë maksimale në menaxhimin e fondeve shtetërore.
Kryetari i PD,Sali Berisha, u shpreh mbi luftën ndaj korrupsionit dhe krimit si një prioritet kryesor për “Shqipërinë Madhështore.” Berisha premtoi transparencë të plotë dhe ndëshkim për politikanët dhe zyrtarët e lidhur me krimin. Berisha vuri theksin në ndarjen e politikës nga krimi dhe fuqizimin e pluralizmit dhe lirisë së medias, si kushte për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai gjithashtu premtoi zhvillimin e teknologjisë dhe krijimin e mundësive për rininë shqiptare, duke u frymëzuar nga shembulli i Estonisë. Fjalimi përfundoi me ftesën për qytetarët të angazhohen për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.
FJALA E PLOTË
Të dashur delegate dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar elektoral të PD.
I dashur zoti Chris LaCivita, të dashur Paul, Phil, Bryan, Austin, miqtë tanë të nderuar të pranishëm.
Të dashur të ftuar, përfaqësues të forcave të koalicionit të ardhshëm qeveritar.
I dashur Renis, përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju dhe opozitarëve kudo që ndodhen sot në Shqipëri, në diasporë dhe kudo që janë.
Ky Kuvend është i një rëndësie historike, jo vetëm për PD dhe aleatët e saj, por ky Kuvend është i një historie historike për Shqipërinë, për shqiptarët, për transformimin e saj për dekadat që vijnë.
Ndaj edhe njëherë shumë mirënjohje për ju.
Mirënjohje dhe falënderim të veçantë kam unë për kryetarin e qarkut të Tiranës, zotin Belind Këlliçi, kandidatët e kryeqytetit dhe delegatët e këtij qyteti të bekuar.
Për zotin Oerd Bylykbashi, kryetar i qarkut të Durrësit, kandidatët dhe delegatët, anëtarët dhe simpatizantët tanë të këtij qarku.
Për zotin Tomorr Alizoti, udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit, kandidatët e këtij qarku, delegatët e tij dhe mbarë qytetarët e Elbasanit.
Për zotin Gazment Bardhi, udhëheqës politik i qarkut të Fierit, kandidatët dhe delegatët e këtij qarku, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD dhe opozitës shqiptare në këtë qark.
Për zotin Bujar Leskaj, udhëheqës politik i qarkut të Vlorës, kandidatët dhe delegatët e këtij qarku, mbarë qytetarët e Vlorës.
Për zotin Agron Gjekmarkaj, kandidatët dhe delegatët e qarkut të Lezhës, mbarë qytetarët e Lezhës, mbështetës të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Zotit Luçiano Boçi, udhëheqës politik i Shkodrës, Rozafa e lirisë, kandidatët e këtij qyteti, delegatët dhe mbarë qytetarët e Shkodrës.
Për zotin Ivi Kaso, kandidatët dhe delegatët e qarkut të Korçës, në të cilin Ivi Kaso është udhëheqës politik.
Për zotin Tritan Shehu, udhëheqës politik i qarkut të Gjirokastrës, kandidatët dhe delegatët e këtij qarku.
Për zotin Xhelal Mziu, udhëheqës politik i Dibrës, kandidatët dhe delegatët e këtij qarku, qytetarët e këtij qarku, mbështetës të palëkundur të PD.
Për zotin Flamur Hoxha, udhëheqës politik i qarkut të Kukësit, kandidatët, delegatët dhe mbështetësit e opozitës shqiptare në këtë qark.
Miqtë e mi, dy ditë Shqipëria përjeton një festë të vërtetë.
Përjeton festën e shpresës, festën e optimizmit, festën e dinjitetit, festën e cila është e gjithë energjia e fitores së 11 majit.
Sot ne jemi mbledhur këtu për të prezantuar një projekt që në 34 vite, Shqipëria nuk e ka pasur kurrë ndonjëherë.
Një projekt aq i mirë, sa edhe PS, e cila qeverisi 12 vite me mashtrime me vjedhje, u kthye ta vlerësojë, të vjedhë dhe ta kopjojë.
Ndonëse kundërshtarët politikë, Edi Rama e pranoi se nuk ka projekt, apo më mirë të themi, projekti i tij është vetëm dora për të vjedhur.
Por miqtë e mi, kopja mbetet kopje e shëmtuar.
Asnjë nuk gënjehet.
E mbani mend, Nokia tre dekada më parë ishte në zenitin e teknologjisë, por Apple nxori iPhonen e parë, shumë herë më lart se Nokia. Nokia tentoi të kopjojë iPhonen, dështoi.
Apple nuk ia përmendi kurrë kopjen Nokias, por vazhdoi të përmirësojë iPhonen e saj.
Sepse kopja mbetet kopje, nuk rritet, nuk shitet, nuk pranohet.
Sot unë jam këtu për t’i kërkuar çdo qytetari demokrat, socialist, të paparti, të gjithë shqiptarëve që po na ndjekin brenda dhe jashtë vendi, në televizion, në radio apo në internet, veçanërisht u kërkoj shqiptarëve që akoma mbajnë të fshehur në vete ëndrrën e largimit nga Shqipëria, të më japin 40 minuta kohë nga vëmendja e tyre për të dëgjuar këtë alternativë që sjell sot PD dhe koalicioni, më të rëndësishmen në 34 vite.
Kjo alternativë nuk është një program, por është një projekt aq i madh, aq transformues, por mbi të gjitha aq i realizueshëm sa t’i bëjë shqiptarët të thonë, ne do i japim edhe një shans të ri Shqipërisë.
Ky projekt që realizojmë ne, nuk ka dalë nga hiçi, as nuk e kopjuam gjëkundi siç bëri Edi Rama pak kohë më parë, as nuk u hartua në tre muaj sa për fushatë elektorale.
Jo dhe jo.
Janë dashur tre vite të plota për të hartuar projektin e Shqopërisë Madhështore.
Ditën që iu përgjigja thirrjes për t’u rikthyer në mbrojtje të demokracisë, atë ditë unë mora një vendim.
Unë nuk rikthehesha për pushtet, nuk rikthehesha për pasuri, as për luks, nuk kam qenë i interesuar për to as në rininë time, kur unë i jam rikthyer betejës për dinjitetin tim.
Aq më pak mund të jem unë në vjeshtën e bukur të jetës sime dhe pas një karriere të përmbushur, nëse do rikthehesha, vendosa të bëj çdo gjë për një trashëgimi të re të PD, të opozitës shqiptare, të konservatorëve shqiptarë.
Dhe me arritjen e mëparshme, pluralizmin politik gjatë Berishës së parë, NATO-n gjatë Berishës së dytë, kërkoja diçka që Berisha i tretë të tejkalonte tërësisht të parin dhe të dytin disa herë.
Dhe kjo diçka duhet t’u jepte përgjigje halleve dërrmuese të shqiptarëve.
Ndaj dhe ne bëmë këtë projekt, duke ditur situatën e rrezikshme ku gjendet Shqipëria.
Shqipëria sot po vuan pasojat e një pushtimi nga vjedhja që iu është bërë shqiptarëve këto 12 vjet.
Ne jemi në kushtet e një pabarazie të madhe ekonomike.
Arsimi është rrënuar siç tregon testi i PISA-s.
Shëndetësia është shkatërruar siç tregon skandali i Spitalit Onkologjik.
Çmimet e larta dhe korrupsioni e kanë bërë ndërtimin e jetës të pamundur për të rinjtë.
45 përqind e shqiptarëve kanë ikur dhe 84 përqind e tyre që kanë mbetur, duan të ikin.
Prandaj PD gërmoi në histori për të gjetur se çfarë programesh kanë përdorur vendet që janë gjetur në rrënoja siç gjendet sot Shqipëria pas 12 vitesh narkodiktaturë.
Të frymëzuar nga këto projekte, ne hartuam projektin e Shqipërisë Madhështore, si projektin që do të rehabilitojë dhe do ngrejë Shqipërinë nga pasojat që solli rilindja në 12 vite.
Por këtu, modestish unë nuk do bie dakord me ata që thonë se politika është arti i të mundshmes.
Jo, për mua dhe për ju që realizuam pluralizmin, që realizuam anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ne me politikën tonë kemi realizuar të pamundurën.
Ndaj dhe ne, këtë projekt e nisëm me të njëjtën formulë të përdorur në arritjet e mëparshme.
E nisëm me një ëndërr dhe kjo ëndërr quhet Shqipëria Madhështore.
Prandaj ne pyetëm veten: si do e bëjmë këtë ëndërr realitet?
Dhe për të nxjerrë programin e realizimit patëm një staf të jashtëzakonshëm, ekspertë të shkëlqyer të të gjitha fushave në Shqipëri, por edhe ekspertë ndërkombëtarë,veçanërisht dy fondacionet më të mëdha konservatore në botë, Konrad Adenauer dhe Heritage Foundation dhanë kontributin e tyre, ekspertizën e tyre në këtë program.
Me ndihmën e tyre ne kthyem projektin e Shqipërisë Madhështore në një plan konkret, plotësisht të realizueshëm në 4 vite.
Tani unë do të njoh shqiptarët me projektin e Shqipërisë Madhështore, që për 29 ditë, do të jetë ëndërr e bërë realitet me fitoren e forcave opozitare.
Por para se të ndalem, unë kam një kërkesë, kam një thirrje për Edi Ramën.
Edi Rama, mos përdor emrin e Zotit.
Mos përdor emrin e Skënderbeut.
Mos përdor emrin e Ismail Qemalit.
Mos përdor flamurin dhe himnin kombëtar për të mbuluar vjedhjet e shpifura të Belinda Ballukut, vjedhjet e Edi Ramës, vjedhjet e Erion Veliajt, vjedhjet e Gjiknurit, e Beqës, Kokës.
Vjedhjet pra të ekipit që hajnave që i solle Shqipërisë dhe e rope këtë vend 12 vite me radhë.
Mos i përdor këta emra, se me asgjë nuk mbulon dot vjedhjet e tyre.
Edi Rama, populli të ka braktisur.
Shqipëria dhe bota e pa sheshin bosh.
Shqipëria dhe bota i pa përsëri ministret e tua me lukse dhe superluks, me aksesorë dhjetëra mijëra euroshe teksa gëzonin luksin e tyre.
Kurse ti nuk the asnjë fjalë për qytetarin, për të rinjtë, për pensionistët, për të sëmurët, për shqiptarët.
U përpoqe të joshësh shqiptarët me mirëqenien e Europës.
Në fakt edhe me pasaportën evropiane, nuk kërkon gjë tjetër veçse të mbulosh plaçkitjen që u ke bërë shqiptarëve.
Ai foli sot për paratë që do marrë nga BE, por nuk tha se ku janë paratë që ai ka marrë nga ju, që i ka vjedhur nga ju.
Ku shkuan?
Ku janë 140 milionë euro të inceneratorit të Tiranës që nuk u ndërtua kurrë?
Ku janë 110 milionë euro që i fale Beketit me arrogancën tënde?
Ku janë 100 milioë euro që ke shpërdoruar tek Air Albania?
Ku janë 60 milionë euro të tunelit të Llogarasë?
Ku janë 68 milionë euro, anijet fantazmë, Tigrat e Ballukut?
Ku janë qindra milionë euro që paguan ti për rrugët e florinjta?
Duke luajtur me aspiratën evropiane të shqiptarëve, ti Edi Rama kërkon të mbulosh vjedhjet me pasaportën kallp evropiane në duart e tua.
A jetohet ndershëm në Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama, është pyetja që çdo qytetar duhet të shtrojë sot për fëmijët e tij?
A mund të ketë siguri për të ardhmen e fëmijëve në këtë vend me Edi Ramën?
A ka mundësi për të punuar dhe jetuar me dinjitet për mjekun, arkitektin, inxhinierin në Shqipëri?
Përgjigja është jo dhe vetëm jo.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, Taulant Ballës, Belinda Ballukut, nuk ka vend për njerëzit e ndershëm.
Në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Erion Veliajt nuk ka vend për të rinjtë.
Edi Rama nuk ka qeverisur për të mirën e njerëzve të thjeshtë.
Pas 12 vitesh, edhe 4 vite të Edi Ramës vetëm do përforcojnë të keqen e madhe.
4 vjet të tjera të Edi Ramës do kenë vetëm një rezultat, kapjen totale të shtetit nga Edi Rama, organizata e tij kriminale, oligarkët e tij, kurse shqiptarët do ikin nga Shqipëria.
Ndaj dhe sot tingëllojnë më aktuale se kurrë vargjet e poetit Ali Asllani, koha është e maskarenjve, por atdheu është i shqiptarëve.
Atdheu është dashuri madhështore.
Është dashuria më sublime.
Dhe ne do punojmë që atdheu ynë, Shqipëria të bëhet madhështore.
Miqtë e mi, themelet e programit të Shqipërisë Madhështore qëndrojnë para së gjithash mbi atë themel që ka shkëlqyer në shekuj, madhështia jonë komëtare, familjen shqiptare.
Familja shqiptare ka qenë dhe mbetet faktori themelor i ekzistencës së kombit shqiptar.
Ka qenë dhe mbetet faktori kryesor i dinjitetit, i solidaritetit, i njerëzisë, i edukimit të shqiptarëve.
Familja shqiptare njohu këto kohë një agresion që nuk e kishte përjetuar kurrë në historinë e saj.
Ky agresion erdhi nga ekstremi i majtë i Xhorxh Sorosit, padrinos së Edi Ramës.
Në shkolla, në kopshte, fëmijëve u mësohej të shuanin nga fjalori i tyre fjalët nënë dhe baba, prindërit t’i emërtonin me numra.
Familja, po bëhej gjithçka që të rrafshoheshin vlerat e saj.
Ne i themi jo përfundimisht kësaj politike.
Për ne, familja është sa hyjore, aq tokësore.
Vlerat e saj janë të paprekshme.
Do bëjmë gjithçka për solidaritetin, për mëkëmbjen, për mirëqenien e saj.
Qeveria e ardhshme do ketë Ministrinë e Familjes, e cila do zbatojë politikat më të avancuara të mbështetjes së familjes shqiptare.
Familja do mbështetet me bonuse për fëmijën e parë, për fëmijën e dytë, 70 euro, 60 euro.
Do mbështetet nga lindja gjer në 23 vjeç për çdo gjë për fëmijën e tretë.
Koha solli që sot me qindra e mijëra familje janë me nëna kryefamiljare.
Unë i garantoj ato se qeveria e ardhshme do bëjë gjithçka për të lehtësuar, për të zgjidhur çdo mungesë dhe çdo problem që ato kanë.
Se fëmijët e tyre do kenë 200 euro minimumin jetik.
Se qeveria do bëjë gjithçka për suksesin e bizneseve të tyre.
Miqtë e mi, tek flasim për familjen, është shumë e qartë se zemra e saj është nëna, është gruaja, është motra, është vajza shqiptare.
Ndaj dhe ne zotohemi këtu para jush se me vendosmërinë më të madhe do rrëzojmë murin e patriarkisë, këtë dhunues të verbër të të drejtave të njeriut.
I garantoj gratë dhe vajzat se do bëhet gjithçka për suksesin e tyre.
Se bizneset e tyre do mbështeten me linja të veçanta.
Se ato që quhen shtëpiake do shpërblehen për punën e tyre.
Miq, unë kam një falënderim të madh sot për gratë socialiste. Dje ato gra fisnike ia shndërruan në disfatë shoun njeriut më mizogjen në Europë, Edi Ramës.
Dhe u detyrua të thoshte se na ka parë syri i keq.
Po ti je e keqja vetë. Ku ka sy të keq që të sheh ty, ti je e keqja më e madhe.
A të keqe më të madhe se atë që i largon nënës, djalin dhe vajzën nga shtëpia për rrugët e botës?
Po a ka të keqe më të madhe për një zonjë, për një grua, për një motër, se t’u largosh burrin nga shtëpia për të siguruar kafshatën?
A ka të keqe më të madhe se ti që me bullizmin tënd ke nxitur dhunën kundër grave?
E ka me borxh të përrallisë për çdo gjë, po se flet një fjalë kurrë një grua dhunohet, se flet një fjalë kur një grua vritet barbarisht.
Kurrë ndonjëherë nuk keni për ta dëgjuar.
Po pse? Sepse në thellësinë e tij ai ka një arkaizëm, ai është një mizogjen i pakorrigjueshëm.
Dhe u garantoj se gratë dhe vajzat shqiptare do jenë ato të cilat me 11 maj do i presin biletën, do e nisin aty ku e meriton.
Miqtë e mi, programi ynë i Shqipërisë Madhështore, po të kishte një emër të dytë, do ishte programi i rinisë shqiptare.
Në 12 vite, 600 mijë të rinj kanë ikur nga Shqipëria.
Në 12 vite, Shqipëria po humbet ëndrrën e vet.
Vilson Blloshmi, një poet i pavdekshëm, Shqipërinë në diktaturë e krahason me Saharanë, dhe thotë Saharaja ëndrra nuk ka, Saharaja nuk ëndërron.
E vërteta është se në narkodiktaturë, ëndrra po i ikën Shqipërisë. Ëndrrat po i ikin çdo ditë.
Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka që të rinjtë shqiptarë të qëndrojnë në Shqipëri.
Do bëjmë gjithçka për shkollimin e tyre, për punësimin e tyre, çatinë e tyre, për biznesin e tyre.
Do bëjmë gjithçka që jo vetëm këta që janë këtu, por dhe ata që kanë ikur, të rikthehen në dheun e tyre dhe të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri. Të kthehen dhe t’i japin Shqipërisë të ardhmen që meriton.
Ndaj dhe programi ynë ka në themel mbështetjen e fuqishme për rininë shqiptare.
Miqtë e mi, Shqipëri Madhështore nuk mund të ketë me shëndetësi të rrënuar.
Qytetarët shqiptarë meritojnë të gjithë kujdesin shëndetësor, të gjitha mjetet më të mira, meritojnë të trajtohen si qytetarë europianë.
Edi Rama tund pasaportën e çjerrë të Europës, por po të ndalemi tek krimet kundër njerëzimit dhe baterdinë që ndodh në Spitalin Onkologjik.
Miq, sa kohë ka që situata dramatike në spital është bërë publike? Të paktën mbi një vit.
Kurse qeveritarët nuk bëjnë gjë tjetër veçse vjedhin paratë e ilaçeve, kurse të sëmurët mbeten në kthetrat e sëmundjes pa mjekime, pa ilaçe, në mëshirë të fatit.
Treguesit e shëndetit, treguesit e sistemit janë në rënie të lirë.
Sot ne kemi mjekë 4 herë më pak për frymë se në vendet e BE.
Sot infermierët dhe mjekët vetëm largohen nga Shqipëria.
Ndaj ne jemi sot këtu për t’u zotuar para shqiptarëve, se shëndetësia moderne, se kujdesi shëndetësor i nivelit më të mirë, se dyfishimi i rrogave për mjekët dhe infermierët, se pajisja me aparaturat më moderne, është zotimi ynë.
Pa shëndetësi nuk ka Shqipëri Madhështore.
Natyrisht Shqipëria Madhështore nuk mund të ndërtohet me një shkollim, në të cilin dijet bien në pikiatë. Pësuan sipas testit të fundit të PISA-s, rënien më të madhe në botë,.
Ne ringritjen e arsimit do e kemi përparësi të të gjitha përparësive.
Do dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe arsimin.
Mësuesin nga mësues për partinë, do e shndërrojmë në mësues për fëmijët tanë.
Rrogat e mësuesve do jenë më të lartat në rajon. Nuk do ketë rrogë nën 1500 euro.
Teknologjia e informacionit do jetë në çdo shkollë kudo që ndodhet.
Nxënësit dhe studentët shqiptarë do bëhen konkurrues me moshatarët e tyre kudo në botë.
Ne dhamë një provë, e gjetëm në fund, por bëmë ngjitje vertikale.
Dhe prapë do bëjmë ngjitje vertikale.
Asgjë nuk na pengon ne të ndërtojmë në Shqipëri një arsim cilësor.
Miq, po të hedhësh sytë në Shqipëri sot, mund ta krahasosh në disa aspekte me një spital pasi janë qindra mijëra pensionistë, të cilat kanë shkrirë jetën e tyre për ndërtimin e këtij vendi dhe tani trajtohen në mënyrë çnjerëzore, me pensione që nuk u mjaftojnë për kafshatën e gojës. Pa le ilaçet.
Edi Rama sillet ndaj tyre me pashpirtësinë më të madhe. 8 miliardë euro buxheti, 16 milionë la për 760 mijë vetë.
Ne kështu nuk ecim, ne jemi vërtet konservatorë, por jemi konservatorë me zemër të dhimbsur.
Ndaj dhe kemi vendosur 100 ditët e para në Shqipëri përjashtohet varfëria ekstreme.
Asnjë shqiptar nuk mund të jetë më në varfëri ekstreme.
Asnjë shqiptar nuk mund të firmosë më pak se 200 euro në muaj,
Këta janë qindra mijëra. 57 përqind e pensionistëve janë me pension jo të plotë. Studentët, të papunët, njerëz me ndihmë ekonomike, jetimët. Të gjithë këta do kenë 200 euro në muaj.
Të gjithë këta do kenë kartën e konsumatorit.
Të gjithë këta do marrin energjinë me 7 lekë.
Të gjithë këta do kenë listën e Italisë të rimbursuar 100 përqind si ilaçe.
Pra, a nuk bëhemi kështu më të njerëzishëm? A nuk bëhemi ne më të drejtë?
Po se çfarë bëjmë ne në fund të fundit? Ne kthejmë tek ju paratë që marrim nga ju.
Nuk i merr Lubi Balluku për të larë makinën 10 mijë euro në muaj.
Nuk i merr Edi Rama me Erion Veliajn 130 milionë euro për djegësin e Tiranës.
Nuk shpenzohen 21 milionë euro për avion taksi.
Nuk ndërtohen më rrugë me çmim 10 herë më të madh se në vendet përreth.
Po ato para vijnë tek ju. Vijnë rroga, pensione, kujdes shëndetësor, cilësi arsimi.
Nuk bëjmë asgjë tjetër, por këto që duken të veçanta, janë detyrime morale, ligjore për çdo qeveri konservatore.
Miq, a është vetëm kjo Shqipëria Madhështore? Jo.
Shqipëria Madhështore ka një tjetër kolonë të dytë, të fuqishme, që është ekonomia, ekonomia, ekonomia.
Made in Albania, ky vend nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, do të prodhojë të mira për qytetarët e vet.
Ky vend do të prodhojë sepse ne zotohemi sot para jush, para çdo qytetari shqiptar se ne kemi besim të plotë tek iniciativa e tij e lirë.
Ne kemi besim se me iniciativën e tij të lirë, me mundin, djersin, ai do të mund të begatojë veten dhe familjen e tij. Të ndërtojë të ardhmen që meriton.
Ndaj dhe ne do të përgjysmojmë barrën e rëndë të taksave mbi të. Dhe më shumë se përgjysmim.
Isha ditë më parë në një treg, gjeta aty njerëz që sakrifikonin shumë. Kalonin tete orë, dhjetë orë në kushte shumë të vështira me një barrë fiskale absurde, arbitrare. U merrnin 1500 lekë për një metër pllaka në trotuar. Uji me çmime stratosferike. Energjia 18 lekë. Mbi 140 mijë euro të ardhura, u vendosin taksa të rënda.
Pyeta kasapin si të ecën? Doktor, më tha, vetëm në ditë festash kemi të ardhurat që kishim në çdo ditë para këtyre.
Një zonjë u përgjigj, sa e paguan energjinë, 18 lekë, tha. 6 lekë do e kesh, i thashë. Buzëqeshi, kaq e kemi pasur gjatë qeverisë tuaj.
Dhe këto nuk janë favore ndaj demokratëve. Këto janë vendime për çdo shqiptar, të majtë, të djathtë, pa parti, cilido.
Nuk do bëhet kurrë gjah shtrigash ndaj biznesmenëve. Jo dhe jo.
Sot, një vajzë e nderuar, një nënë e nderuar e dy fëmijëve, pedagoge e shkëlqyer në universitet, e kthyer nga jashtë për të ndërtuar ëndrrën në Shqipëri, është kandidate për deputete dhe kjo është Fatmira Kola, më njofton se mister urrejtja, Edi Rama, mizogjeni, i ka mbyllur biznesin, portalin e saj me 72 mijë abonentë pa asnjë paralajmërim.
I ka dërguar furgonat e policisë tek bënte fushatë i tmerruar.
I them këtij burreci 2 metra të gjatë, po përpëlitesh kot se i ke javët e fundit dhe do japësh hesap për çdo akt të tillë.
U them socialistëve se ne kurrë nuk do sillemi ndaj bizneseve të tyre. Jo dhe jo.
Garantoj administratën që e braktisi sot se PD, koalicioni, e vlerëson shumë aktin tuaj dhe u konsideron ju pasuri kombëtare, secilin prej jush që zbaton ligjin, u shërben qytetarëve, refuzoni patronazhistin, aktivistin, këta terroristë elektorale të cilët vjedhin së bashku me zyrtarët e lartë.
Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë kurrë pa një fermë madhështore.
Fermerët shqiptarë u vendosën në kushtet më të pabarabarta sepse argati i Vuçiçit firmosi Ballkanin e Hapur dhe hapi dyert për prodhimet me të cilat kalbin në fushë prodhimet e shqiptarëve.
Merr fund! subvencion për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi.
Mbrojtje sezonale për prodhimet e fermerëve shqiptarë.
Kredi duke paguar qeveria interesin për fermerët.
Mbrojtje dhe subvencionim për të gjitha dëmet dhe fatkeqësitë natyrore.
Një fermë e fuqishme është një fermë prodhuese.
Vetëm në këtë mënyrë do ndërtojmë Shqipërinë Madhështore.
Miq, Shqipëria Madhështore ka një kolonë tjetër, pastrimin e shtëpisë, kushti i të gjitha kushteve.
Zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Është korrupsioni ai që po varfëron dhe mjeron çdo ditë shqiptarët dhe zhyt në luks të papërmbajtur qeveritarët.
Është korrupsioni ai që lë të sëmurët pa ilaçe në mëshirë të fatit.
Është korrupsioni ai që detyron të rinjtë shqiptarët të largohen nga Shqipëria.
Zero tolerancë. Transparencë maksimale në çdo akt, në çdo qindarkë.
Dhe u garantoj se korrupsioni do shpallet vepër penale e rëndë.
Bajrët, Çelët, Ponjat dhe kjo racë kriminelësh, së bashku me ministrat e vet, kudo që të ndodhen, në Shqipëri, në Dubai, në çdo vend të botës, do vendosen para ligjit.
Nuk do mund të guxojë kush të kërcënojë shqiptarin për votë. Do nxirren nga parlamenti Çyrbet e tyre.
Politika do ndahet njëherë e përgjithmonë nga krimi.
Pluralizmi do jetë kryefjala jonë.
Mediat e lira.
Liri politikë.
Janë standarde jetike për integrimin e Shqipërisë në BE.
Miq, Shqipëria Madhështore do të mund të jetë vetëm atëherë kur ne ta shndërrojmë këtë vend në epiqendër të teknologjisë më të lartë.
A nuk ishim ne që e sollëm Shqipërinë në epokën e internetit? Estonia do jetë shembulli dhe frymëzimi i Shqipërisë.
Ndaj i garantoj këta të rinj se ëndrrat e tyre dixhitale, se ëndrrat e tyre të Shqipërisë së teknologjisë së lartë, do jenë realitet.
Do jenë këta që do i prijnë të ardhmes, do i prijnë ekonomisë, do i prijnë zhvillimit të Shqipërisë.
Ky pra është projekti.
Kemi 29 ditë në dispozicion. Sot kërkohet nga secili prej nesh me këtë projekt në dorë, por jo si politikanë, por me këtë projekt në dorë si misionarë, të trokasim në çdo derë, në çdo zemër tek çdo qytetar.
Të ulemi, t’i shpjegojmë, ta bindim se nuk është projekt për pushtetin e Sali Berishës.
Nuk është projekt për karrige.
Është projekt për çdo qytetar.
Është projekt për Shqipërinë.
Është projekt për të ardhmen.
Është projekt për shpresën.
Është projekt për rininë.
Rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!