Drejtori i Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati, ka bërë të ditur se fluturimet do të rinisin në muajin shkurt me dy ose trefishin e atyre më parë, ndërkohë që me rifillimin e fluturimeve, aeroporti do të jetë i ndriçuar për të bërë të mundur që fluturimet të kryhen gjatë 24 orëve.
Kukës, 5 dhjetor – Prej dy muajsh, fluturimet përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit “Zayed, Flatrat e Veriut” janë ndërprerë.
Dy kompanitë ajrore “Air Albania” dhe ajo zvicerane “Helvetic Airways” nuk kanë programuar fluturime të tjera. Sipas drejtorit të Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati, kjo ndërprerje ka të bëjë me rënien e fluksit të fluturimeve për sezonin e dimrit.
Drejtori Progonati ka bërë të ditur se fluturimet do të rinisin në muajin shkurt me dy ose trefishin e atyre më parë, ndërkohë që me rifillimin e fluturimeve, Aeroporti i Kukësit do të jetë i ndriçuar për të bërë të mundur që fluturimet në këtë aeroport të bëhen gjatë 24 orëve.
“Fluturimet e programuara janë ndërprerë për shkak se kompanitë ajrore reduktojnë numrin e tyre të fluturimeve gjatë sezonit të dimrit, pasi fluksi i pasagjerëve nuk është më ai që ka qenë gjatë sezonit të verës. Kjo është arsyeja kryesore. Arsyeja e dytë është se fluturimet Charter janë të hapura dhe mund të ndodhin herë pas here në varësi të kërkesave që kanë kompanitë charter nga klientët e tyre”, tha për KOHËN, Progonati.
Ai shtoi se krahas shtimit të pasagjerëve, pas muajit shkurt, do të shtohen edhe destinacionet e fluturimeve nga Aeroporti i Kukësit.
“Bëhet fjalë për një shtim të fluksit, dyfishim ose dhe më tepër fluturime, si dhe destinacione të reja. Presim të fillojë linja me Londrën, disa destinacione me Gjermaninë, si dhe do të jenë destinacionet e sezonit të kaluar që kishte Aeroporti i Kukësit. Do të kemi një fluks të shtuar edhe me chartera”, tha ai.
Megjithëse në Aeroportin e Kukësit nuk ka fluturime, në këtë aeroport, sipas drejtorit Progonati, punohet çdo ditë me kapacitet të plotë të numrit të punonjësve, pasi ka punë të tjera që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe meremetimet në Aeroport.
“Deri më tani, Aeroporti i Kukësit ka funksionuar vetëm gjatë ditës. Me rifillimin e fluturimeve, Aeroporti do të jetë i ndriçuar për të bërë të mundur që ai të jetë në funksion përgjatë 24 orëve”, u shpreh Progonati.
Ai i quajti spekulime lajmet se Aeroporti nuk është i licencuar.
“Aeroporti i Kukësit është certifikuar që më 18 prill kur është bërë fluturimi i parë. E para, është një detyrim ligjor shtetëror dhe ndërkombëtar që një aeroport duhet të jetë i certifikuar, që një kompani ajrore të ulet në atë aeroport. Pra, pa një certifikatë, asnjë kompani ajrore nuk guxon të aterrojë në një aeroport kudo qoftë në çdo vend të botës. E dyta, Aeroporti i Kukësit është ndërtuar të jetë brenda standardeve ndërkombëtare. Aktualisht Aeroporti i Kukësit është i kategorisë 3C ICAO (International Civil Aviation Organization)”, u shpreh ai.
Aeroporti më i ri i Shqipërisë, “Zayed, Flatrat e Veriut” në Kukës, ka pritur më 9 korrik të këtij viti zyrtarisht avionin e parë. Në aeroportin e dytë ndërkombëtar shqiptar, u ul të premten e 9 korrikut nga Zyrihu avioni me 67 udhëtarë i “Helvetic Airways”, duke shënuar kështu nisjen zyrtare të fluturimeve nga ky aeroport. Por, numri i fluturimeve në Aeroportin e Kukësit ka rënë ndjeshëm nga mesi i shtatorit, duke u reduktuar në vetëm një fluturim në javë me destinacion Stambollin nga kompania “Air Albania”.
Drejtori i Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati, e lidhi asokohe uljen e numrit të fluturimeve në këtë aeroport me mbylljen e sezonit të verës.
Progonati tha në shtator se ka mbërritur edhe plani i operimit për muajin tetor dhe në vijim pritet që të shtohet edhe intensiteti i punës.
“Kemi një vazhdimësi, ku ka ardhur edhe plani i fluturimeve për muajin tetor që është pjesë e sezonit të verës. Pasi mbaron muaji tetor fillon sezoni i dimrit. Në sezonin e dimrit pritet të vijë plani tjetër. Jemi në tratativa me kompaninë ‘Wizz Air’. Pra, Aeroporti i Kukësit vazhdon të operojë në vijimësi pa asnjë lloj kufizimi. Periudha dhjetor deri në fund të janarit është një periudhë e cila ka goxha pasagjerë, goxha fluturime, pasi dihet që janë pushimet dhe festat e fundvitit dhe njerëzit udhëtojnë. Kështu që edhe aeroporti do të vazhdojë të funksionojë pa asnjë lloj problemi”, pati thënë drejtori Progonati në muajin shtator.
Gjatë periudhës së fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit u regjistruan më shumë se 12 mijë pasagjerë.
Aeroporti i Kukësit ka përfunduar së ndërtuari që në tetor të vitit 2007, pas një granti falas prej 30 milionë dollarësh nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara.
Me gjithë përurimin në qershor të vitit 2010, ky aeroport është konsideruar i papërfunduar për të arritur standardet e kërkuara nga Rregullorja e Ministrisë së Transportit nr.130, datë 09.11.2012 “Për certifikimin dhe regjistrimin e aerodromeve”, dhe kishte nevojë për investime shtesë.
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka miratuar më 19 mars të vitit 2019 nënshkrimin e Kontratës së Koncesionit për “Rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit”. Procesi i tenderimit u krye në dhjetor 2018 dhe fitues doli Bashkimi i Përkohshëm i Operatorëve “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. (Pjesë e Kastrati Group) dhe “Bami” sh.p.k. që investuan rreth 10 milionë euro për vënien në punë të tij.
Përveç aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe aeroportit “Zayed-Flatrat e Veriut”, kryeministri Edi Rama ka premtuar se Shqipëria do t’i ketë edhe aeroportet e Vlorës dhe Sarandës, ku për atë të Vlorës punimet kanë filluar pas një ceremonie zyrtare më 28 nëntor.